Forma e mirë e kohëve të fundit e brazilianit, mund t’i bindë drejtuesit për të mos e shitur
Shkruhet Dzeko, lexohet Diego. Tri gërma, tri të përbashkëta. Nëse s’do të ishte për “z” dhe “k”, ngjashmëria do të ishte më e madhe nga ç’janë karakteristikat e të dy lojtarëve në qendër të strategjisë në shtëpinë e Juventusit. Boshnjaku i Volfsburgut, Dzeko, është një sulmues i lindur, golashënues i Bundesligës, ëndrra e presidentit Andrea Anjeli dhe e trajnerit Del Neri. Emri i duhur për të ndezur entuziazmin e tifozëve bardhezinj.
Investim i shtrenjtë - Diego, përfaqëson një nga simbolet e falimentimit të Juves të së shkuarës, një investim mjaft i shtrenjtë (25 milionë euro kartoni), një modul i revolucionarizuar në sezonin e shkuar (nga 4-4-2 te skema në formë rombi) për të përshtatur sa më mirë mesfushorin brazilian me tipare sulmuese. Që sot Xhixhi Del Neri po përpiqet ta veshë me “kostumin” e ri të sulmuesit të dytë, tip “ala Kasano”, ose siç parapëlqen vetë trajneri bardhezi, “ala Kristiano Doni”.
Strategjia e klubit, e studiuar në tryezë një muaj më parë, ishte mëse e thjeshtë. Pas refuzimit të Diegos për t’u transferuar në Gjermani, si “pedinë” këmbimi për të shkuar te Dzeko, e vetmja mënyrë për të bindur lojtarin ishte të kuptonte që për të nuk kishte hapësirë.
VËSHTIRËSI - Avancimi i rolit në sulm, duhet t’i kishte krijuar vështirësi në fushë dhe një konkurrencë të fortë në mënyrë që të nxitej vetë Diego që të kërkonte të shitej. Por me kalimin e ditëve erdhi krejt e kundërta. Braziliani ra në “botën” e tij, kokëulur filloi të punojë dhe pavarësisht nga zërat e merkatos po rigjen hapësira të manovrës dhe freskisë së lojës, pra duket mirëfilli në formë. Nëse do të shënonte edhe gol me një farë vazhdimësie, do të ishte maksimumi.
OVACIONE TË TURMËS - Në miqësoren e fundit kundër Lionit, ish-mesfushori i Ribeirao Pretos ka shërbyer asistin e çmuar për Pepen, goditi portën në disa raste, mori duartrokitje nga publiku dhe lavdërimet e Del Nerit: “Lëvizi shumë mirë, fizikisht gëzon shëndet, i mungon vetëm pak vazhdimësi, ritëm loje”, - është komenti i trajnerit. Nga “i gjunjëzuar”, Diego po merr revanshin në fushë, duke u kthyer në “benjamin” i tifozëve i vendosur për të mos e lënë Juven.
FOTOKOPJE E KEQE - Juvja sot është “peng” i Diegos, nuk mund ta blejë Dzekon (40 milionë euro kërkon Volfsburgu), sepse vetëm nga shitja e brazilianit, klubi mund të përfitojë parà dhe nga ana tjetër do të gjëndej me pesë sulmues në organikë dhe me kapitenin Del Piero si fotokopje “e keqe” e brazilianit. Me një rrezik ama: duke luajtur vetëm me një sulmues, Diego nuk siguron 10 15 gola në sezon, të kërkuara për një sulmues të dytë, rol që braziliani do të mbulojë.
MAROTA - Me përjashtim që Del Neri të mos kërkojë të dyfishojë sulmuesit me blerjen e një anësori roli si Milosh Krasiç. Nuk është një rastësi që në orët e fundit Bepe Marota, ka biseduar me menaxherin e anësorit të Serbisë, Marko Naletiliç, me një detyrë: të rihapë gjatë javës bisedimet me CSKA në e Moskës të ngrira mbi pasigurinë nëse duhet synuar mbi vendin e vetëm të lirë si jokomunitar për Krasiçin apo për Dzekon.