Pas fitores së tre konkurrentëve kryesorë për ta fituar titullin e Ligës Premier, edhe kampioni aktual, Manchester United, ka shënuar fitore, por shumë më vështirë seç pritej, duke përfunduar takimin me një gol diferencë ndaj skuadrës së Sunderlandit.Liverpool dhe Chelsea, shënuan fitore në takimet e sotme për t’i ruajtur pozitat e tyre në tabelë, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Manchesteri, duke qëndruar në pozitën e tretë me gjashtë pikë diferencë nga lideri Liverpool, por me një lojë më pak të zhvilluar. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi serbi Nemanja Vidic, i cili në minutat shtesë të takimit (90’+1) shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Fulop, për ta dënuar në mënyrën më të keqe skuadrën e Sunderlandit, e cila këtë javë u paraqit pa trajnerin Roy Keane, i cili dha dorëheqje pas disfatës që pësoi javën e kaluar nga Boltoni.