Salihamixhixh: Juve-Milan është si një finale
Supersfida e kësaj fundjave, Juventus-Milan, po bëhet gjithnjë e më e ndezur me deklaratat e futbollistëve dhe drejtuesve të të dyja klubeve. Së fundmi, publikisht shprehet edhe futbollisti boshnjako-gjerman i Juventusit, Hasan Salihamixhixh. Lojtari e konsideron sfidën si një finale të vogël. Mesfushori juventin risjell në kujtesë ndeshjen e para 9 muajve, kur skuadra bardhezi fitonte 3-2, dhe Salihamixhixh ishte autor i dy golave. “Për mua ajo ndeshje ishte me të vërtetë e rëndësishme, jo vetëm për skuadrën e Juventusit, por edhe për eleminimin që na bëri Milani një vit më përpara gjatë kohës që unë luaja me Bajernin e Mynihut, -thotë ai. Ishte një lumturi e papërshkrueshme. Dy golat e mi ishin vendimtarë për të kthyer në favorin tonë rezultatin”.Më tej lojtari me origjinë boshnjake flet edhe rreth superyjeve të Milanit. “Milani është një skuadër edhe më e fortë me ardhjen e një lojtari si Ronaldinjo, -thotë Salihamixhixh. Ata janë duke bërë paraqitje të mira. Edhe ne gjithashtu jemi në një moment tepër të mirë, dhe mendoj që kjo do të jetë një finale e vogël. Fitorja është shumë e rëndësishme për ne, pasi jemi në vendin e dytë dhe na duhet të ndjekim skuadrën e Interit”.