Bufon kërkon 13 milionë € në sezon nga Siti
Një përfitim prej 13 milionë eurosh në sezon, që do ta bënte futbollistin më të paguar në botë, mësohet të jetë kërkesa stratosferike e vendosur nga portieri i Juventusit dhe përfaqësueses italiane, Xhanluixhi Bufon, për të pranuar ofertën e Mançester Sitit. Një gjë e tillë është publikuar në faqet e të përditshmes britanike, “Daily Mail”. Konfirmohet se shifra që do t’i ofrohet klubit të Juventusit për kartonin e numrit një më të mirë në botë është ajo e 75 milionë eurove. Marrëveshje kjo, e cila ka shumë mundësi të zgjasë, duke parë pagën e lartë që italiani kërkon nga drejtuesit e Mançester Sitit. Gjithsesi, Mark Hjuxhs ka komentuar se një skuadër kompetitive nuk mund të ndërtohet nëse nuk ke të siguruar portën, por nga ana tjetër, edhe pronari i klubit anglez, Al Fahim, e di mjaft mirë se paratë që do të shpenzojë për portierin bardhezi do të shpërbleheshin të gjitha nga paraqitjet e tij. Pastaj, imazhi më shumë se pozitiv që qarkullon në botë mbi Bufonin, do të ishin një reklamë më shumë për Mançester Sitin.