21 dhjetor 2008

Juventus mban hapin

Një ndeshje e bukur është zhvilluar në “Stadio Atleti Azzurri d'Italia” të Bergamos ndërmjet Atalantës dhe Juventusit, ku skuadra mysafire ka shënuar fitore komode me rezultat 3-1.
Golin e parë në ndeshje e shënoi kapiteni i bardhezinjve, Alessandro Del Piero (30’). Ky ishte goli i njëzet i Del Pieros këtë vit, i cili me këtë gol shpallet golashënuesi më i mirë për vitin 2008 në Serie A. Në minutën e 38-të, mbrojtësi Nicola Legrottaglie e dyfishoi epërsinë pas një krosimi nga këndi të ekzekutuar nga Del Piero, dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim. Me të filluar pjesa e dytë (48’), lojtari i porsa inkuadruar në lojë, veterani Christian Vieri, ngushtoi epërsinë në 2-1. Pas këtij goli skuadra vendasi mori zemër dhe dominoi një pjesë të lojës, mirëpo duke mos arritur të barazonte. Nga ana tjetër, Juventusi shënoi edhe golin e tretë me anë të Amaurit (82’), pas një krosimi të Marchionit nga gjuajtja e lirë. Ky ishte goli i nëntëmbëdhjetë i Amaurit për vitin 2008, me ç’rast mbetet një gol pas partnerit të tij në sulm Del Piero dhe një gol para sulmuesit të Interit Zlatan Ibrahimovic, i cili ka shënuar tetëmbëdhjetë gola gjatë vitit që po e lëmë pas.