12 dhjetor 2008

Klarens Sedorf, leksione profesionalizmi për Kakanë

Holandezi i Milanit, Klarens Sedorf, gjatë një interviste për mediat italiane i jep një leksion të vogël brazilianit Rikardo Kaka, i cili ditë më parë ishte ankuar mbi pozicionimin e tij në fushë nga Ançeloti: “Edhe unë, ashtu si Kaka dëshiroj të luaj pas shpatullave të dy sulmuesve. Në atë rol kënaqem duke luajtur – shpjegon Sedorf, – por meqenëse më paguajnë jo për t’u kënaqur, por për t’i shërbyer skuadrës, atëherë përshtatem duke u sakrifikuar për të mirën e Milanit. Aktualisht Ançeloti po më kërkon të luaj sa më mbrapa, e meqenëse fiziku ma lejon diçka të tillë, do të vazhdoj të zbatoj urdhrat e tij. Për momentin ndihem akoma i ri dhe i fortë. Mendoj se mund të jap sërish shumë edhe për dy apo tri vitet e tjera. Më pas do të mendoj nëse do të tërhiqem, apo të ndërroj ambient”, shprehet Klarens Sedorf.