30 dhjetor 2008

‘Nuk e mendoj një largim të tijin nga bardhezinjtë’

“Nëse do të luante në një skuadër tjetër, do të kishte mundësi të vihej më në dukje, por Juventusi mbetet Juventus dhe një gjë e tillë është e pamendueshme”. Lojtari në fjalë është Sebastian Xhovinko dhe menaxheri i tij, Klaudio Paskalin ka siguruar se kontrata e sulmuesit me bardhezinjtë do të vazhdojë, (lojtari duhet të rinovojë kontratën) pavarësisht hapësirës së paktë që i ka lënë në dispozicion Ranieri. “Fatkeqësia e Xhovinkos është se ka shumë ngjashmëri me Alesandro Del Pieron. Sipas Ranierit, ai është alternativa nëse Del Piero nuk ka mundësi të luajë dhe nuk ka aspak ndërmend ta ndryshojë këtë gjë. Vetëm kjo është fatkeqësia e tij, sepse ai është një futbollist shumë i mirë. Megjithatë, në shumicën e rasteve duhet të bësh durim dhe të presësh momentin më të mirë për të vepruar. Cilësitë e tij janë të pamohueshme dhe prandaj do të vijë momenti që t’i shfaqë më së miri. Gjithsesi, mendoj se Ranieri duhet t’i japë më shumë hapësirë”, ka përfunduar menaxheri i sulmuesit, Klaudio Paskalin.