13 dhjetor 2008

‘Brazo’: Ndaj Milanit, një finale e vogël

Një finale e para kohshme. Në këtë mënyrë e ka komentuar sfidën e së dielës kundër Milanit, Hasan Salihamixhiç, mesfushori i “Zonjës së Vjetër”, i cili me dy gola në sfidën e fazës së dytë të sezonit të kaluar i dhuroi suksesin në shifrat 3-2 Juventusit. “Për momentin, kjo është një sfidë që vlen për vendin e dytë të Serisë A, por me vazhdimin e kampionatit, mendoj se ajo skuadër që do të arrijë të triumfojë të dielën, do të jetë rreziku numër një për Interin kryesues. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se momentalisht kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit tonë”, - vazhdonmesfushori boshnjak. Kur na ndan vetëm një ditë nga zhvillimi i kësaj supersfide, atmosfera fillon e bëhet më e nxehtë dhe sigurisht që Hasan Salihamixhiç karikohet më shumë se kurrë në prag të një përballjeje të tillë. Kujtojmë se sezonin e kaluar, saktësisht më 14 prill, “Brazo” ishte vendimtar falë dopietës së shënuar, pas avantazhit fillestar të Del Pieros dhe dy golave radhazi të bomberit kuqezi, Filipo Inzagi. Salihamixhiç me dygola të njëpasnjëshëm i fal tri pikët Juventusit. “Në aspektinpersonal, ajo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për mua, pasi një vit më parë kur aktivizohesha në radhët e Bajernit të Mynihut, Milani na skualifikoi nga Liga e Kampioneve. Nga ana tjetër, ndeshja ndaj kuqezinjve me fanellën e Juventusit do të mbetet gjithmonë një kujtim i bukur, pasi dy gola nuk është se i shënoj shpesh. Plus pastaj që, ai ishte viti im i parë me Juventusin dhe duke ditur vështirësitë tona kundrejt rivalëve, mendoj se kontributi i dhënë prej meje na shërbeu për të arritur më pas objektivin tonë sezonal. Padyshim që goli i shënuar me kokë është ai më i bukuri, pasi me shtatlartësinë time nuk është e lehtë të realizoj në atë mënyrë të tillë. Sigurisht që nëse të dielën do të mund të përsërisja dy golat e shënuar në sezonin e kaluar, për muado të ishte një tjetër ëndërr e realizuar”, - përfundon mesfushori boshnjak i Juventusit, Salihamixhiç.