“Më mirë Champions-i, sesa kampionati”
“Interi nuk ka fituar ende asgjë të rëndësishme, ndërsa Juventusidhe Milani nuk kanë ndonjë diferencë ndërmjet tyre”. Me këtë batutë, Lapo Elkan, pronari i klubit bardhezi, ka përshkruar ndeshjen e ditës së nesërme ndërmjet skuadrës së tij dhe kuqezinjve të Karlo Ançelotit. Nipi i avokatëve Anjeli nuk humbetrast për të shigjetuar edhe skuadrën e Interit, por jo vetëm: “Nga sfida e së dielës pres një spektakël të madh, pasi përballë njëra-tjetrës do të jenë dy skuadra që kalojnë një moment shumë pozitiv dhe sigurisht dy skuadra që kanë bërë historinë e futbollit italian e botëror. Milanit do t’i mungojë Gatuzo, neve Legrotalje e shumë të tjerë, por nga ana tjetër, ekziston vullneti i duhur për ta fituar këtë ndeshje, në mënyrë që të mos i japim shansin Interit të largohet më shumë se diferenca aktuale që ka kundrejt nesh. Murinjo? Nuk do ta doja kurrë në drejtimin e Juventusit”, - vazhdon trashëgimtari i familjes Anjeli. Në fund, Lapo Elkan përgënjeshtron mundësinë e një largimi të mundshëm të Xhixhi Bufonit në drejtim të Mançester Sitit, pasi zërat sa vinë e bëhen më të fortë: “Padyshim që këtu po flasim për klubin më të pasur në botë, por nuk mendoj se Xhixhi, i cili pranoi të qëndronte me ne edhe në Serinë B, mund të largohet nga Torino. Kemi shumë nevojë për të, që të arrijmë objektivat tanë. Kampionati apo Champions-i? Dua finalen e Romës, pasi për mua Liga e Kampioneve është më e rëndësishme se Seria A. Besoj se jemi gati të përballemi me cilindo kundërshtar”, - përfundon pronari bardhezi.