14 dhjetor 2008

Ranieri pranon çdo rezultat ndaj Milanit

Klaudio Ranieri kërkon të ulë tonet e tensionit në prag të sfidës me Milanit, por gjithsesi një gjë e tillë duket e pamundur përballë një kundërshtari si kuqezinjtë. Trajneri i “Zonjës së Vjetër” e njeh mirë rëndësinë e kësaj sfide, por në një farë mënyrë kërkon të heqë përgjegjësitë nga lojtarët e tij. Fitorja duket e vetmja alternativë për të dyja skuadrat, në mënyrë për të mos ju shkëputur Interit, pasi një barazim nuk do t’i vlente asnjërës prej të dyja formacioneve, por...: “Kush humbet, nuk është i përjashtuar nga lufta për titull, - shpjegon Klaudio Ranieri, – por gjithsesi një fitore do të ishte më e dobishme se një barazim. Tri pikët do të na lejonin të mbanim hapin e zikaltërve, por nga ana tjetër do të zgjeronin në tri pikë diferencën edhe nga Milani, i cili aktualisht ndan vendin e dytë me ne. Interi, i sigurt drejt titullit? Nuk besoj shumë te shkëputjet e fillimsezonit, por gjithsesi nëse cilado prej nesh do të ndalej dhe Interi do të vazhdonte të fitonte, do të ishte një stimul më shumë për zikaltrit. Gjithsesi, futbolli është një sport i çuditshëm dhe nëse matematika nuk e vërteton suksesin final, asgjë nuk mund të quhet e përfunduar”, thekson tekniku i bardhezinjve. Milani në emergjencë – Duke parë të gjitha ndodhitë e ditëve të fundit në shtëpinë e Milanit, Juventusi niset si favorit në këtë ndeshje, por Klaudio Ranieri nuk e beson një gjë të tillë. Ai nuk u zë bese kuqezinjve dhe kërkon përqendrim maksimal nga lojtarët e tij në prag të ndeshjes së “Olimpikos” së Torinos. “Përveç Gatuzos, dëmtimi i të cilit është konfirmuar, nuk besoj se Ronaldinjo e Kaka do të mungojnë ndaj nesh. Pavarësisht këtyre, jam i lumtur që një lojtar si Gatuzo do të mungojë kundër nesh. Besoj se ai është shpirti i mesfushës së kuqezinjve, por kjo nuk do të thotë se të tjerët që do ta zëvendësojnë atë nuk janë të aftë. Unë pres një ndeshje të balancuar dhe spektakël për sportdashësit, ndërsa rezultatin do ta vendosë më konkretisht fusha e lojës”, përfundon tekniku i skuadrës së Juventusit.