Berluskoni ‘akuzon’ mbrojtjen kuqezi
Shumë gola të pësuar në minuta e fundit, me pak fjalë një Milan që nuk di të kontrollojë ndeshjet. Ai që konstaton një defekt të tillë, ose më saktë një ndër pikat e dobëta të skuadrës, është vetë presidenti i kampionëve të botës për klube, Silvio Berluskoni. Ndonëse dje ndodhej në një mbledhje qeveritare ndërmjet ministrash në Bruksel të Belgjikës, tifozi i parë i Milanit nuk mund të mungonte me një deklaratë në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme me Juventusin. “Fatkeqësisht në këtë sezon kemi marrë dy goditje të rënda, dëmtimin e Gatuzos dhe problemete vazhdueshme të Alesandro Nestës. Gjithsesi, rezultatet tona jo shumë pozitive në javët e fundit nuk kanë ardhur vetëm si rrjedhojë e mungesës së dy kampionëve tanë, por e shpërqendrimit të të gjithë skuadrës në minutat e fundit të ndeshjes. I lëmë mjaft hapësira kundërshtarit. Kur një skuadër si Milani arrin të kalojë në avantazh, veçanërisht kur kryesojmë minimalisht 1-0, duhet të jemi konkretë në zotërimin e topit. Kundërshtari nuk duhet ta prekë absolutisht atë në pjesën e fundit të takimit, sepse fatmirësisht në fushë kemi disa ndër kampionët më të mëdhenj të futbollit botëror. Shpërqendrime të tilla nuk dua t’i shoh në të ardhmen”. Silvio Berluskoni ndërkohë shfaqet i paditur mbi lojtarin e ri që të dielën pritet të mbërrijë në Milanelo, brazilianin Tiago Silva: “Realisht nuk di asgjë, pasi këto ditë nuk kam pasur kohë të flas në telefon me Galianin. Ronaldinjo? Nuk kam pasur kurrë dyshime se ai e kishte mbyllur ciklin e tij dhe tashmë po rikthehet kampioni që të gjithë ne njohim”, - përfundon presidenti i Milanit.