05 dhjetor 2008

Torres: Për pak do të kaloja në Milan

Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka zbuluar se në vitin 2007 ka qenë shumë afër transferimit në Milan.
“E di se Milani ishte i interesuar për shërbimet e mia dhe se të dyja klubet disa herë kanë diskutuar për këtë, por unë kurrë nuk kam qenë i përfshirë”, ka thënë Torres.“Kur ata biseduan me rosonerët, Atletico kurrë nuk më ka treguar se kishte në plan të më shesë, por dëgjova shumë fjalë. Gjithmonë është mirë kur ekipet e mëdha interesohen për ju”, ka shtuar spanjolli.Torres po ashtu ka folur edhe për mbresat nga ndeshja e sezonit të kaluar ndaj Interit, në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndeshje në të cilën ai shënoi gol.“Kam qenë i impresionuar nga atmosfera, kurrë më herët nuk kisha luajtur në atë stadium. Të gjithë më flisnin për atë, por loja atje ishte më ndryshe. Kishte një tunel të gjatë në San Siro dhe ai e bënte atmosferën edhe më të nxehtë”, thotë më tej sulmuesi i Liverpoolit.