Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka njoftuar se sulmuesi në telashe, Adriano, do të luaj në ndeshjen e të martës në Ligën e Kampionëve kundër Werder Bremenit.“Ende nuk kam vendosur nëse ai (Adriano) do të luajë bashkë me Ibrahimovicin në sulm, ose me dy anësorë, por ai do të luajë. Po ashtu sigurt do të luajnë edhe Julio Cesar, Materazzi, Burdisso, Zanetti dhe Cambiasso”, ka thënë trajneri zikaltër. Interit i nevojitet fitore për ta siguruar vendin e parë në Grupin B, pasi që tanimë e ka të siguruar kualifikimin, pavarësisht se ka arritur t’i grumbullojë vetëm tetë pikë. “Tetë pikë nuk mjaftojnë. Nesër na duhet së paku një barazim, mirëpo do të ishte shumë më mirë po të fitonim”. “Ne jemi tashmë të kualifikuar, mirëpo nuk më pëlqen që e kemi bërë këtë gjë me vetëm tetë pikë. Një skuadër që ka vetëm dy fitore, dy barazime dhe (nëse humb nesërmbrëma bëhen) dy humbje, nuk e meriton kualifikimin”, ka përfunduar “I Veçanti”.