03 dhjetor 2008

“Juventusi, më kompetitiv në Ligën e Kampioneve”

I ftuar nderi në rolin e numrit 1 më të mirë në botë, pavarësisht se prej dy muajsh i dëmtuar, në një seminar me 11 talente italiane të datëlindjes 1990-1991, Xhixhi Bufon nuk nguron të trajnojë kolegët e tij adoleshentë, por gjithashtu të flasë edhe për Juventusin. “Unë trajner? Sigurisht që një ide e tillë më pëlqen shumë, pasi ne portierët studiojmë çdo gjë, madje më mirë se kushdo tjetër. Ndoshta në të ardhmen edhe unë mund të bëj të njëjtën punë si Valter Zenga. Portierët italianë? Padyshim që ne jemi shkolla më e mirë në botë për këtë rol, por prej disa vitesh kanë hyrë shumë në modë portierët brazilianë dhe nuk e kuptoj këtë fakt. Mbase duke parë që Hulio Sezar i Interit dhe Doni i Romës po paraqiten shkëlqyeshëm, mendojnë se ata janë më të mirë se ne, por të mos harrojmë se ata të dy kanë studiuar prej vitesh, respektivisht në radhët e Kievos dhe Romës e më pas kanë fituar cilësitë për të qenë pjesë e skuadrave të mëdha. Sot (dje) këtu janë 11 të rinj shumë të talentuar dhe nuk besoj se në vende të tjera të botës zhvillohen aktivitete të tjera vetëm për trajnimin e portierëve, ndërkohë që Italia e bën këtë. Përveç këtyre 11 adoleshentëve, mund t’ju përmend tri emra të tjerë në Serinë A që do të jenë e ardhmja e portës italiane, Fiorilo i Sampdorias, Kurçi i Sienës dhe Marketi i Kaljarit. Duhet të ndalojmë kolonizimin e skuadrave tona për të rinj nga elementët e huaj, pasi në Itali ka aq shumë talente, saqë nuk mund t’i kushtosh të njëjtën vëmendje të gjithëve”, analizon numri 1 i skuadrës së Juventusit. Dhe përsa i përket bardhezinjve, Bufon shprehet shumë i kënaqur nga ndeshja kundër Rexhinës, por gjithsesi ai pranon se Juve do ta ketë shumë të vështirë për të synuar kampionatin. “Ndaj Rexhinës zhvilluam një ndeshje fantastike. E rëndësishme për ne do të jetë të mbajmë deri në fazën e dytë hapin e kryesueseve, e më pas t’i japim një marsh më shumë kampionatit, ndonëse Interi është shumë herë më mirë i organizuar se ne. Mendoj se jemi një skuadër më kompetitive në Ligën e Kampioneve sesa në Serinë A, dhe sigurisht që në Evropë duhet të japim diçka më tepër se në kampionat. Gjithsesi, deri në fund të sezonit na pret një rrugë e gjatë, e ndërkaq unë mezi po pres të rikthehem për të dhënë kontributin tim”, përfundon mbrojtësi ekstrem i “Zonjës së Vjetër”, Xhixhi Bufon.