“Goli më i bukur, ai që pason”
Alesandro Del Piero, me golin e shënuar ndaj Rexhinës ka kapur shifrën e 250 golave bardhezi, ku secili prej tyre nënkupton një pjesë të kapitullit të karrierës së kapitenit të Juventusit. I pari i shënuar prej tij daton në periudhën e largët të 19 shtatorit të vitit 1993, kundër Rexhianës, në stadiumin “Dele Alpi”, ndërkohë që i fundit që ka realizuar është ai kundër Rexhinës, të dielën e kaluar, pra më 30 nëntor, nën një borë të dendur. E në harkun kohor ndërmjet këtyre dy datave regjistrohen 248 gola të tjerë, gjithsecili me peshën e tij, si gjithmonë të bukur, pa rëndësinë e të goditurit me këmbën e majtë apo të djathtë, me goditje dënimi apo thembër, në Ligën e Kampioneve apo në kampionat, pasi Alesandro Del Piero është vetëm një, ashtu si dhe magjia e golave të tij. Ajo që ka më tepër rëndësi dhe ajo çfarë shumë prej kolegëve të tij i kanë zili karrierës së “Pinturikios” është fakti se të gjitha këto perla janë shënuar me fanellën bardhezi, 16 vjet karrierë me të njëjtën skuadër, me të cilën ka ndarë vuajtjet dhe gëzimet e ndeshjeve të zhvilluara. E pra, pikërisht këto fakte e bëjnë Alesandro Del Pieron një pasuri të historisë së “Zonjës së Vjetër”, por mbi të gjitha të futbollit italian. “Dhe janë 250 gola, - shkruan kapiteni juventin në uebsajtin e tij. – Nuk do të mësohem kurrë me këto numra. Çdo rekord është një emocion më vete, ashtu si dhe çdo gol i shënuar gjatë karrierës sime, qoftë kjo me Juventusin, apo me fanellën e përfaqësueses. Gjëja që më emocionon veçanërisht nuk është dhe aq objektivi i arritur, sesa ajo që më pret më pas; pra, rruga e panjohur dhe emocionet ndoshta edhe më të mëdha nga ato që kam provuar deri në këtë moment. 250 gola janë shumë, pasi për ne sulmuesit janë edhe të rëndësishëm, por jo aq shumë se ajo çfarë mund të arrijë skuadra. Unë jam pjesë e saj dhe golat e mi duhet të vlejnë në arritjen e synimeve tona, pasi kjo mund të jetë rrugae vetme që të çon drejt fitores, - vazhdon Alesandro Del Piero, objektivi i të cilit është arritja e 300 golave. – Golat e mi i mbaj mend të gjithë, por më më vjen keq kur dikush më pyet se cilin prej tyre vlerësoj si më të bukurin, pasi kështu më duket sikur hedh poshtë të gjithë të tjerët. Kujtoj të gjitha festimet e mia, të gjitha përqafimet dhe tani që kam mbërritur në golin e 250-të dua të përqafoj të gjithë ata që kanë festuar me mua, në fushë përkrah meje dhe ata që mund të ndodhen qindra kilometralarg. Gjithsesi, tani nuk dua të ndalem këtu, sepse durse goli më i bukur, ashtu sikurse edhe fitorja më e bukur duhet akoma të vijë”, shkruan Alesandro Del Piero.