06 dhjetor 2008

Hoffenheimi nuk i bën ballë Bayernit

Sensacioni i sivjetmë i Bundesligës, skuadra e cila kryeson Ligën më të fortë gjermane në këto gjashtëmbëdhjetë javë, Hoffenheim, ka pësuar humbje në përballje me kampionët në fuqi, Bayern Munich. Bavarezët të cilët ‘çaluan’ në një pjesë të Kampionatit, tashmë e kanë marrë veten dhe me këtë fitore janë barazuar me pikë me kundërshtarin e mbrëmjes së sotme. Pjesa e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa në gjysmëlojën e dytë u panë tre gola. Me të filluar pjesa e dytë (49’), golashënuesi më i mirë aktual në Bundesliga me 18 gola të shënuar, Vedad Ibisevic, kaloi mysafirët në epërsi. Bavarezët reaguan në minutën e 60-të me anë të mbrojtësit, Philipp Lahm, për t’i barazuar shifrat. Kurse fituesin e vendosi sulmuesi italian, Luca Toni, i cili në minutat shtesë të takimit (90’+2) e mposhti portierin Daniel Haas, për t’i siguruar tre pikë shumë të rëndësishme nga ky takim.
Edhe me këtë humbje Hoffenheimi vazhdon të kryesojë Bundesligën falë golaverazhit më të mirë se Bayern Munich.