04 dhjetor 2008

Fillon lufta City-Chelsea për Villan

Derisa po vazhdojnë spekulimet për krizën financiare të Valencisë, gjigantët e futbollit evropian po bëjnë gati paratë për yllin kryesor të Los Che, David Villa.
Edhe pse skuadra dhe presidenti Vicente Soriano kanë thënë se kanë të përgatitur një plan për të shmangur krizën financiare, e përditshmja madrilene “Marca” njofton se deri në fund të dhjetorit Valencia duhet të bëjë disa pagesa të cilat arrijnë vlerën prej 50 milionë eurosh. Ndërsa vetmja mënyrë që skuadra nga Mestalla të del nga kjo krizë është që të shesë lojtarët kryesorë të skuadrës. “Daily Mirror” njofton se Chelsea dhe Manchester City janë të gatshëm “të ndihmojnë” në këtë drejtim, porse si dëmshpërblim dëshirojnë sulmuesin kryesor David Villa. Megjithatë duket se skuadrat nga Liga Premier nuk do të ofrojnë aq sa ofroi Real Madridi në afatin kalimtar veror (afër 50 milionë euro), por spekulohet se ata janë të gatshëm të caktojnë një vlerë prej afër 22 milionë eurosh. Megjithatë, nëse fillon lufta midis dy skuadrave të pasura, atëherë kjo vlerë mund të shkojë shumë lartë.