01 dhjetor 2008

Arsenal shumë i fortë për skuadrat e mëdha

Topçinjtë e Arsenal kanë shënuar fitore në Stamford Bridge, në derbin kryesor të javës së pesëmbëdhjetë kundër Bluve të Chelseat, me rezultat 2-1.
Skuadra e Arsene Wenger edhe njëherë dëshmoi se kur është fjala për skuadrat e mëdha, ajo është skuadër e madhe, ndërsa me ekipet e vogla humbin pikë duke mos qenë të përqendruar sa duhet.

Edhe pse Blutë kaluan në avantazh në pjesën e parë, Topçinjtë përmbysën gjithçka në pjesën e dytë duke dalë fitimtarë në fund të takimit. Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 30-të të takimit, kur pas një nxitimi të portierit të Arsenalit, Almunia, topi arriti në këmbët e Bosingwas, i cili krosoi ulët, ndërsa mbrojtësi i Arsenalit Johan Djourou duke u munduar të pastronte topin, shënoi në portën e tij.

Në minutën e 59-të të takimit, pas disa kombinimeve të Nasri dhe Denilson, topi arriti te Robin Van Persie, i cili e barazoi rezultatin nga një pozicion i dyshimtë. Ishte sërish i njëjti lojtar i cili shënoi edhe golin e dytë për mysafirët. Pas një gjuajtje të lirë të Fabregas, Adebayor doli fitimtar në ajër kundër Obi Mikel dhe e gjeti Van Persien, i cili këtë radhë ishte në pozitë të rregullt, dhe e mposhti për të dytën herë portierin Cech.

Me këtë fitore Arsenal kthehet sërish në top-katërshin me pikë të barabarta me Aston Villan, ndërsa Chelsea tashmë ia ka dhënë mundësinë Liverpoolit që nëse shënon fitore në takimin e nesërm kundër West Hamit të shkëputet me tre pikë diferencë nga Blutë.