01 dhjetor 2008

Reali mposhtet nga Getafe

Skuadra kampione e Spanjës, Real Madrid, ka pësuar humbjen e tretë të sezonit në Coliseum Alfonso Perez si mysafir i Getafes.
Skuadra e tretë e kryeqytetit spanjoll, Getafe, ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-1, duke i penguar Mbretërit që të barazohen me pikë me Barcelonën, kështu që një fitore e mundshme e Blaugranëve sonte kundër Sevillas, do të paraqiste një shmangie për gjashtë pikë kundrejt rivalëve kryesor për titull, Los Blancos. Vendasit shënuan shumë shpejtë golin e epërsisë (3’), pas një krosimi të Jamie Gavilan të cilin e shfrytëzoi Juan Albin për ta mposhtur portierin Casillas. Përveç golit që pësuan në pjesën e parë, madrilenët mbetën edhe pa mesfushorin Wesley Sneijder i cili u detyrua të largohej nga ndeshja (17’) për t’iu shtuar listës së gjatë të lojtarëve të lënduar të Realit. Me të filluar pjesa e dytë (47’), Getafe dyfishon epërsinë, dhe ishte sërish njeriu i ndeshjes, Juan Albin. Mbretërit arritën të ngushtonin epërsinë (55’) me anë të Javier Saviolas pas një pasimi të Gutit, mirëpo kjo ishte krejt çka bënë mysafirët në këtë takim. Skuadra vendase shënoi edhe një gol për të humbur shpresat e Los Merengues për ndonjë barazim të mundshëm, dhe ishte sërish Juan Albin, por kësaj radhe si asistues. Albin arriti ta kalonte topin ndërmjet Drenthes dhe Sergio Ramosit për të pasuar te Uche, i cili shënoi golin e tretë të mysafirëve që përkon edhe me numrin e humbjeve të Realit këtë sezon.