26 mars 2009

Xherard: Jam më i lumtur se kurrë

Stiven Xherard ka rrëfyer se tani është më i lumtur se kurrë te Liverpuli dhe se është i gatshëm të rinovojë kontratën me këtë klub. Kapiteni i të kuqve shpreson të bëjë një paraqitje të mirë kundër Sllovakisë në miqësoren e ditës së shtunë në “Uembli” dhe më pas kundër Ukrainës më 1 prill për eliminatoret e Kupës së Botës 2010 në kuadër të Grupit 6. Xherardi është në formë të shkëlqyer.
Pasi e ka ndihmuar skuadrën e tij të eliminojë Realin e Madridit nga Liga e Kampionëve, të mundë Mançester Junajtedin në “Old Trafford” dhe shënoi tre gola kundër Aston Vilës në fitoren 5-0 të Liverpulit, Xherardi e ka gjetur veten në krye të një skuadre e cila pretendon seriozisht të fitojë titullin e kampionit në Premier Ligë. Liverpuli i tanishëm duket vite larg atij Liverpuli që para disa vitesh nuk përbënte kërcënim për titull dhe ideja që Xherardi të transferohej te Çelsi nuk dukej e pamundur. “Nuk kam qenë kurrë më i lumtur në karrierën time sesa tani”, ka thënë Xherardi. “Më kanë mbetur edhe dy vite në kontratë dhe nëse më jepet mundësia ta rinovoj, do ta bëja. Po luaj për një skuadër të madhe, me lojtarë të kalibrit botëror dhe me një trajner që i besoj. Kam shpresë se do të jemi të suksesshëm”, ka shtuar ai. Marrëdhëniet e tij me trajnerin Rafael Benitez janë një faktor vendimtar. Ka pasur momente kur Xherardi nuk e kuptonte trajnerin spanjoll.
Ai ka luajtur madje edhe si mesfushor i djathtë dhe në atë kohë skuadra dukej e paorganizuar dhe e pafuqishme. Xherardi e pranon se ai ka patur një moment papjekurie. “Ndoshta kur kam qenë më i ri kam qenë pak egoist”, ka pohuar Xherardi. “Mendoja pak si shumë për veten kur trajneri më vendoste të luaja në një pozicion që nuk ishte i imi. Duhet të kisha reflektuar dhe të mendoja për të mirën e skuadrës. Por aktualisht unë po luaj në pozicionin tim të preferuar, jam kapiten dhe ne po fitojmë. Marrëdhëniet tona janë forcuar me kalimin e kohës. Prej vitesh jam ankuar që nuk po luftojmë dot për titull dhe ishim larg pretendentëve. Tani jam pjesë e një skuadre që mund të mposhtë çdo ekip tjetër të kampionatit”, ka theksuar kapiteni i të kuqve. Megjithatë, forma e jashtëzakonshme e Xherardit ka bërë që të flitet për të edhe në kombëtaren e Anglisë, se cili do të ishte roli më i mirë për të.
Aktivizimi i tij përkrah Frenk Lampardit në mes të mesfushës nuk ka qenë edhe aq i pëlqyer nga Xherardi para ca kohësh. Në fakt, te Liverpuli ai ka shpërthyer në rolin e një sulmuesi të dytë, pas Fernando Torresit dhe jo në rolin e tij të zakonshëm, në mesfushë. “E pëlqej shumë këtë rol dhe kjo është arsyeja pse po luaj aq mirë. Nuk do të doja gjë tjetër vetëm të luaja edhe për Anglinë në atë rol, që të gjej edhe aty formën time më të mirë”, ka vazhduar Xherardi. Në Bjellorusi, Kapelo e aktivizoi në krah të majtë, aty ku luan zakonisht Runi. Por në realitet nuk është një pozicion fiks, pasi në atë rol Xherardi duhet të vrapojë shumë dhe të gjejë hapësira ku të mundet. “Trajneri më ka shpjeguar se nuk më sheh si mesfushor sulmues krahu, por si lojtar të lirë, i cili shkakton probleme për mbrojtësit. Në të majtë është vetëm pozicioni në të cilin e nis lojën, pasi pastaj mund të lëviz ngado dhe e ndiej se mund të bëhem i rrezikshëm për kundërshtarin”, ka përfunduar Stiven Xherard i Liverpulit.