27 mars 2009

Ndërkombëtarët njohin KOKSH-in, jo KOSH-in

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe ai europian (COE) nuk i njohin drejtuesit e zgjedhur të KOSH-it (Komiteti Olimpik Shqiptar) të dalë nga Asambleja e Jashtëzakonshme, e iniciuar nga një grup nismëtarësh më datën 20 mars, ku president u zgjodh Esat Ademi, por vazhdojnë të njohim drejtuesit e KOKSH-it (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar), me president Hysen Domin dhe sekretar Stavri Bellon. Përmes një letre zyrtare, këta dy organizma konfirmojnë edhe një herë se nuk i njohin zgjedhjet e kryera në shkelje të statutit të KOKSH-it, që është i miratuar nga CIO si dhe ndryshimet e statutit të bëra në këtë asamble.
“Jemi informuar se është zhvilluar një mbledhje më datë 20 mars 2009, e cila nuk ka respektuar Statutin e Komitetit tuaj Olimpik Kombëtar dhe në të cilën duket se është vendosur të modifikohet statuti i Komiteti Olimpik Kombëtar dhe është proceduar me “zgjedhjet” e “drejtuesve të rinj” të Komiteti tuaj Olimpik Kombëtar. Ne çdo rast, statuti nuk mund të modifikohet pa iu dhënë njoftimi paraprak Komitetit Olimpik dhe anëtarëve të tij nga organi kompetent i Komitetit Olimpik Kombëtar në lidhje me ndryshimet e propozuara dhe të pranuara bashkërisht.
Nga ky këndvështrim, ne duam të konfirmojmë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe Komitetet Olimpike Europiane (COE) nuk do të njohin asnjë drejtues të ri apo vendim të marrë gjatë kësaj mbledhjeje, që është zhvilluar në shkelje të statutit të Komitetit tuaj Olimpik Kombëtar, që është aktualisht në fuqi i aprovuar nga CIO,”- thuhet në letrën drejtuar presidentit të KOKSH-it, Hysen Domi, dhe sekretarit Stavri Bello si dhe për dijeni letra i drejtohet dhe ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adrian Turku, si dhe drejtorit të sporteve në MTKRS, Vasil Bicit.
“Për këtë arsye, - vazhdon Pere Miro (drejtor i departamentit të marrëdhënieve me Komitetet Olimpike Kombëtare në CIO)- ne konfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për drejtuesit e Komitetit tuaj Olimpik Kombëtar aktual dhe legjitim dhe përsërisim se do të vazhdojmë të njohim drejtuesit aktualë të Komitetit tuaj Olimpik Kombëtar dhe, në veçanti z. Hysen Domi, si President dhe z. Stavri Bello, si Sekretar i Përgjithshëm, derisa procesi zgjedhor të realizohet përkatësisht nën ombrellën e Komitetit tuaj Olimpik Kombëtar në rrugë legale dhe në mënyre demokratike, të ndershme dhe trasparente dhe me aprovimin e CIO‑s, ashtu siç ne kemi rekomanduar edhe në letrën tonë dërguar më datë 12 janar 2009,”- shprehet Pere Miro në emër të CIO-s, ku ndër të tjera shprehet qartë se CIO është në pritje të caktimit të një date nga ana e KOKSH-it për të mbajtur Asamblenë Zgjedhore. “Ne ju lutemi sërish të paraqisni propozimin për një datë të aprovuar paraprakisht nga ne në një periudhë të përshtatshme, kur kushtet të lejojnë zhvillimin e procesit zgjedhor që fatkeqësisht u ndërpre më datë 6 dhjetor 2008, që të konkludojë dhe të përcillet në një atmosferë të qetë e paqësore,”- deklarohet në letrën e CIO-s, që me sa duket kërkon të nxisë drejtuesit aktualë të KOKSH-it, Domin dhe Bellon, që të konkludojnë me një datë për mbajtjen e asamblesë së KOKSH-it.
Por sigurisht që në fund të letrës së tij përfaqësuesi i CIO-s nuk ka hezituar të na kujtojë edhe cfarë e pret lëvizjen olimpike shqiptare në rast se reagimet e CIO-s nuk merren në konsideratë. “Edhe një herë ripohojmë parimin e autonomisë së Lëvizjes Sportive dhe Olimpike, e cila duhet të jetë e lirë nga çdo presion i jashtëm dhe ndërhyrje e çdo lloji dhe ne ndiejmë keqardhje për këto veprime, të cilat, nëse vazhdojnë, do ta ekspozojnë Komitetin tuaj Olimpik Kombëtar dhe Lëvizjen Olimpike në Shqipëri ndaj masave dhe sanksioneve të parashikuara në Kartën Olimpike, veçanërisht Rregulli 28.9, që përcakton se:
“Përveç masave dhe sanksioneve që parashikohen në rast të shkeljes së Kartës OIimpike, edhe Komiteti Ekzekutiv i CIO‑s ka kompetencën të marrë vendime për mbrojtjen e Lëvizjes Olimpike në Komitetin Olimpik Kombëtar të një vendi (në këtë rast Shqipëria), që parashikojnë edhe pezullimin apo mosnjohjen e atij Komiteti Olimpik Kombëtar nëse kushtetuta, ligji apo rregullore të tjera në fuqi në vendin në fjalë, ose çdo akt veprimi nga ndonjë organ qeveritar apo çfardo faktor tjetër i jashtëm, shkakton pengimin e aktivitetit të Komitetit Olimpik Kombëtar, ose shprehjen e vullnetit të tij (rregulli 28.9 i Kartës Olimpike),” - informon drejtuesit e sportit në Shqipëri përfaqësuesi i CIO-s. Së fundmi, CIO konfirmon në këtë letër se më datën 30 mars deri më 1 prill do të bëjnë një vizitë në Shqipëri Patrick J. Hickey, anëtar i CIO-s dhe President i COE-s, së bashku me Raffaele Pagnozzi, Sekretar i Përgjithshëm i COE-s, me qëllim që të kuptojnë më mirë situatën dhe të vendoset më pas për hapat që do të ndërmerren.