31 mars 2009

Shqipëria pa Lilën dhe Canën

Pas dështimit ndaj Hungarisë, Shqipëria kërkon të marrë gjithçka t’i dalë përpara në pjesën e mbetur të eliminatoreve të Botërorit 2010.
Në prag është ndeshja ndaj Danimarkës, takim të cilin kuqezinjtë tanë do të duhet ta luajnë këtë të mërkurë në Kopenhagen. Situata nuk është nga më të mirat, pasi humbja e hidhur ndaj hungarezëve ka lënë pas një moral “përtokë”, i cili mundet të rezultojë fatal edhe në ndeshjen e radhës.
Koha në dispozicion nuk është edhe aq e mjaftueshme, prandaj trajneri Ari Han do t’i duhet të punojë fort në ditët në vazhdim me lojtarët, sidomos për një përgatitje sa më të mirë psikologjike të tyre për anti-Danimarkën. Por teknikut holandez do t’i duhet të përballet edhe me një tjetër problem jo të vogël.
Për të mërkurën nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Lorik Cana, i cili është i skualifikuar për shkak të kartonit të dytë të marrë ndaj Hungarisë. Përveç Canës, me skuadrën nuk ka udhëtuar as Andi Lila, i cili, pas dëmtimit, nuk ka mundur të rikuperohet në kohë për këtë sfidë.
Tashmë Shqipëria është thuajse jashtë objektivave të saj, ndaj në këtë ndeshje do të synojnë të marrë një rezultat pozitiv. Një humbje do të vinte në diskutim vazhdimësinë e trajnerit Ari Han në krye të përfaqësues sonë.