Bufon kundër Lipit: Kasano na duhet këtu
“Kasano do të na kishte qenë shumë i dobishëm, por është gjithashtu e vërtetë se zgjedhjet i takojnë Lipit t’i bëjë”. Sigurisht që mungesa e Antonio Kasanos në Koverçiano, në grumbullimin e skuadrës kampione bote, ka ndezur një debat të gjerë, jo vetëm në media, por edhe brenda grupit të lojtarëve të Lipit. Gjithsesi, Xhanluixhi Bufon kërkon të bëjë rolin e diplomatit, ndonëse në një fare mënyre kuptohet qartë që portieri i Juventusit do ta kishte mirëpritur grumbullimin e sulmuesit barez në Kombëtare për dy ndeshjet e radhës. “Kasano po zhvillon një kampionat të shkëlqyer dhe sigurisht që do të na kishte shërbyer shumë për dy sfidat e ardhshme. Gjithsesi, zgjedhjet i takojnë Lipit. Unë mendoj se për të fituar diçka të rëndësishme nevojiten kampionë në skuadër dhe Kasano është i tillë. Aktualisht është 27 vjeç dhe besoj se ka fituar maturinë e duhur për të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, edhe në Kombëtaren tonë, ashtu siç bën tek Sampdoria. Personalisht shpresoj që ai të bashkohet me Juventusin në të ardhmen”, tha Bufon.