26 mars 2009

Italia, probleme për Zambrotën

Në ditën e dytë të stërvitjeve në qendrën stërvitore të kombëtares italiane në “Koverçiano” para ndeshjes të së shtunës së ardhshme kundër Malit të Zi, të vlefshme për botërorin e Afrikës së Jugut, Marçelo Lipi e ka ndarë skuadrën në dy grupe dhe ka stërvitur veçmas titullarët. Për lojtarin e Milanit, Xhianluka Zambrota, ka qenë i detyruar pushimi, si masë parandaluese. Milanisti, pasi ka bërë stërvitjen në grup, u detyrua të ndalej nga stafi mjekësor. “Lodhje në gjurin e majtë, pushim si masë mbrojtëse për të parandaluar përkeqësimin”, ka shpjeguar profesor Kastelaçi. Në pjesën e parë të stërvitjes, kur Lipi kishte ndarë veçmas titullarët e mundshëm kundër Malit të Zi, gjendej edhe Zambrota, portieri Bufon dhe mbrojtësit Kanavaro, Kielini dhe Groso, pastaj mesfushorët De Rosi, Palombo dhe Pirlo si dhe sulmuesit Kualiarela, Jakuinta dhe Di Natale. Ky ka qenë i njëjti formacion i rreshtuar në stërvitje nga Lipi edhe të martën.