Hija e Roberto Mançinit është gjithmonë aty, një prezencë e bezdisshme mbrapa krahëve të Mourinjos, sidomos mbasi portugezi, ashtu siç ka bërë paraardhësi i tij, ka dështuar në objektivin europian. Dhe që ish-trajneri i Interit është një nga pikat e dobta të të “Të Veçantit” kuptohet edhe nga referimi i radhës që Mou ka bërë ndaj Mançinit, edhe pse pa ia përmendur emrin.
Pikënisja është projekti që portugezi do të donte t’i impononte klubit zikaltër, një punë në perspektivë, për të cilën do të duhet të përballet me Moratin. “Duhet të kemi më shumë lojtarë të rinj, - ka shpjeguar trajneri -.
Edhe nëse kjo do të thotë mungesë fitoresh të menjëhershme, besoj se është një rrezik që nuk duhet të kemi frikë ta marrim parasysh. Unë nuk dua të mbroj veten, të fitoj nesër dhe më pas t’i lë pasardhësit tim një grup pa perspektivë. Kur kam ardhur kisha një grup, nga i cili më është dashur të lë jashtë listës Champions pesë lojtarë. Kur do të largohem, ky problem nuk do të jetë më”.
Mourinjo vazhdon më tej: “Unë nuk jam një trajner egoist, dua të punoj për të ardhmen e Interit. Ju jap një shembull: kur Skolari ka shkuar tek Çelsi dhe ka thënë se nuk kishte gjetur kurrë më parë një klub kaq të organizuar dhe me një organikë kaq profesioniste dhe me perspektivë, unë jam ndier krenar”.