26 mars 2009

Gurkuf, rigjen dëshirën për Milanin

Tani që po vjen Zidani i ri, në kuptimin që është djali i atij të vjetrit, ndoshta Joan Gurkuf ka hequr një peshë të madhe nga shpina. Luan mirë, shënon, dhe kombëtarja franceze beson shumë tek ai. Tani që ka kaluar pak kohë, ndoshta askush nuk do ta bezdisë më me etiketime impenjative. Jo se francezi i kishte shumë problem këto, por mbërritja në Milano si trashëgimtari i Zinedin Zidanes nuk i ka bërë mirë. Nuk ka qenë i pari dhe nuk do të jetë i fundit që do të paguajë me çmimin e përshtatjes së vështirë edhe atë të një krahasimi të rëndësishëm.
PERGJIGJE - Në këtë pikë të sezonit, në moshën 22-vjeçare, me dhjetë gola të shënuar dhe sytë e gjithë botës mbi vete, milanisti i dhënë borxh tek Bordoja nuk ngjan shumë me djaloshin e ri që ka marrë kritikat e Ançelotit edhe në distancë. “Tek Milani ka pasur aq hapësirë sa meritonte”, i është përgjigjur trajneri babait të Gurkufit, i cili është edhe ai trajner dhe është ankuar për vlerësimin e pakët për djalin e tij. Ançeloti ka shtuar se Joan nuk luante mjaftueshëm për ekipin. Tani, Gurkuf duket se ka ndryshuar mendim kundrejt klubit që ka në pronësi kartonin e tij. Dhe në një intervistë për shtypin francez ka folur për të mirat e viteve në Milano.
STUDIM - Gurkufi i bën elozhe Pirlos (”është fantastik, nga ai kam mësuar shumë, ashtu si nga Sedorf dhe Kakà”) dhe ka shpjeguar në një farë mënyre vështirësitë e tij. “Tek Milani nuk luhej i njëjti futboll me të cilin isha mësuar. Loja pak më e javashtë, më e menduar. Secili mbulonte një zonë të caktuar dhe cilësia teknike është shumë më lart se ajo e kampionatit francez”. Por Gurkuf nuk pranon të cilësohet si egoist. “Gjithçka që bëj është të luftoj që skuadra të fitojë. Bëj gjithçka për grupin, duke u përpjekur të jem efikas”.
LEVIZJE - Milani do ta rimerrte me dëshirë në “Milanelo”, por Gurkuf nuk ka marrë një pozicion të caktuar, ndoshta ngaqë pret të njohë më mirë planet e klubit dhe të Ançelotit. Francezi është i dhënë borxh me të drejtën për t’u blerë përfundimisht dhe nëse Bordo ka ndërmend ta mbajë duhet të japë 15 milion euro, por pa miratimin e lojtarit nuk mund të bëjë asgjë dhe nuk është e sigurt se ambiciozi Joan të ketë dëshirë të qëndrojë tek Bordo. Në lidhje me këtë kanë dalë zërat që flasin për një interesim të mundshëm ndaj lojtarit të Bajernit të Mynihut dhe Realit të Madridit.
ZGJEDHJE - Për Gurkufin, do të ishte një shaka e fatit të zgjidhte Realin dhe të gjente para syve, ndoshta, trajnerin me të cilin nuk ka pasur marrëdhënie shumë të mira. Përsa i përket Milanit, në pritje për të kuptuar nëse do të marrë 15 milion euro nga Bordo, është i qetë. Sipas administratorit të deleguar Galiani, egziston një marrëveshje verbale, në bazë të së cilës klubi francez nuk mund ta blejë Joanin për ta shitur tek një klub i madh. Por në fund, do të ketë rëndësi dëshira e Gurkufit. Dhe kjo nuk është pak, është vetëm 22 vjeç.