Presidenti zikaltër do të takohet shumë shpejt me agjentin e talentit argjentinas të Atletikos
Me Ibrahimoviçin, e ka premtuar, do të flasë shumë shpejt. Me Agueron, ndoshta, edhe më shpejt. Masimo Morati është gati t’i futet punës për të përforcuar Interin. Objektivi? Të ndiqen një më një direktivat e Mourinjos. Portugezi ka qenë i qartë. Pika e parë: të bindet suedezi të qëndrojë.
E dyta: të blihen dy lojtarë të rëndësishëm. Dhe i pari është pikërisht Aguero. Agjenti i argjentinasit të Atletikos së Madridit është në Itali dhe shumë shpejt duket se do të takohet me Moratin.
Ka deklaruar se nuk do t’i jepte më material shtypit duke folur për Ibrahimoviçin, por Masimo Morati është gati të fillojë punën (edhe) për suedezin. Para se të takohet me Ibrën (të cilin Morati duhet ta bindë të qëndrojë), presidenti zikaltër do të takojë (këto ditë) agjentin e Agueros. “El Kun”, fantazisti i Atletikos së Madridit, për nga talenti dhe mosha është emri i parë i listës së “këshilluar” nga Mourinjo.
Më pas, Morati sigurisht nuk e ka harruar vizitën e bërë nga Maradona vitin e kaluar në zyrat e tij, kur midis një përshëndetjeje dhe tjetrës Diego i ka sugjeruar blerjen e atij që më pas do të bëhej dhëndri i trajnerit të Argjentinës.
Gjithashtu, Maradona është vënë në dispozicion të klubit zikaltër për të ndihmuar arritjen e kësaj marrëveshjeje me lojtarin, i cili nga ana e tij është shprehur entuziast për një kalim të mundshëm tek Interi. Aguero pëlqehet shumë nga numri një i interistëve, që duket se është bindur ta çojë deri në fund këtë operacion.
Ndoshta edhe për këtë agjenti i lojtarit, Hoze Segui, ndodhet në Milano dhe ndoshta shumë shpejt mund të bëjë një vizitë në zyrat e klubit zikaltër për të thënë se klienti i tij është gati të pranojë një pagesë prej 3 milion e gjysmë eurosh në vit.
Mbetet për t’u bindur Atletiko e Madridit. Kështu, nëse Zllatan Ibrahimoviç ka përhapur qëllimisht dyshime rreth të ardhmes së tij, duket se nuk ka shumë të tilla Serxhio Aguero, që duket se është i vendosur të zgjedhë ngjyrat e Interit.
Ndërkohë, kjo e sotmja mund të jetë dita e duhur për një takim të parë midis agjentit të lojtarit dhe presidentit zikaltër. Eshtë llgojike që arritja e një marrëveshjeje paraprake lidhur me pagesën dhe kohëzgjatjen e një kontrate të mundshme do ta bënte më të lehtë vazhdimin e negociatave, që Interi do të duhet të bëjë me klubin spanjoll.
Në fakt, deri tani ka pasur vetëm sondazhe të thjeshta dhe kërkesa për informacion, prej ku ka dalë se në kontratën e Agueros është një klauzolë e barabartë me 60 milion euro për ta shkëputur menjëherë lojtarin nga klubi spanjoll. Atëherë ekuacioni duket i zgjidhur: jashtë Ibra, brenda Aguero. Por, nga sa mësohet nga ambientet zikaltër, duket se nuk ka asnjë lidhje midis këtyre dy operacioneve.
Në fakt, “Kun” është një objektiv i merkatos interiste, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me Ibrahimoviçin. Madje idea është që të vendosen njëri përkrah tjetrit. Një ide që mund të realizohet duke parë vështirësitë që egzistojnë për një shitje të mundshme të Ibrës.
Nga njëra është vlerësimi i tij (100 milion euro) nga tjetra pagesa (12 milion euro në sezon deri në 2013-ën) shumë herë më e lartë se ajo e yjeve të tjerë europianë, që në çdo ekip do të bënte që shokët e rinj të skuadrës të kërkonin menjëherë një rritje rroge.