Fantazma e Antonio Kasanos dëfrehet, duke u paraqitur herë pas here në “Koverçiano”. Marçelo Lipi e përzë, duke e larguar nga kombëtarja e tij që është në ndërtim e sipër. Ku duket se mund të gjejë vend i natyralizuari (i radhës) Amauri, për të cilin nuk flitet ashu si për lojtarin e Sampdorias. Kështu tekniku i të kaltërve, thotë se nuk ka dëshirë të flasë për lojtarë që mungojnë. por flet për shumë emra lojtarësh që mund të jenë pjesë e kësaj kombëtareje në të ardhmen, pa përmendur asnjë herë Antonion, i lënë jashtë ekipit mbi të gjitha për arsye taktike. Kjo kuptohet kur ai shpjegon: “Një lojtar mund të luajë mirë në klubin e tij sepse të gjithë e ndihmojnë, dhe mund të paraqitet keq në kombëtare. Por vlen edhe e kundërta”. Mesazh i qartë. Por fantazma është mbas kthesës.
- Pse nuk ka hapësirë për Kasanon në kombëtare?
- Nuk jam arrogant, por nuk duhet të jap asnjë shpjegim. Kam bindjet e mia. Keni shprehur mendimin tuaj, para se të dëgjonit arsyet e mia: vazhdoni ta bëni. Unë flas për ata që janë këtu.
- Jeni bezdisur nga sa keni lexuar në gazeta?
- Jo.
- Ndërkohë me Irlandën do të luani një sfidë të rëndësishme në Bari, aty ku pakënaqësia është më e madhe për mungesën e Kasanos?
- Nuk më shqetëson kjo, besoj se tifozët do të mbështesin Italinë. Bari po jeton një moment shumë të bukur me klubin e tij. Nëse dikush pastaj nuk do të na mbështesë për arsye të tjera, këtë nuk e di. Por nuk do të ishte një gjë e bukur sikur të grumbulloja një lojtar vetëm sepse ka lindur në qytetin ku ne do të zhvillojmë ndeshjen. Në kombëtare vijnë ata që luajnë mirë për një kohë të gjatë, jo vetëm për disa ndeshje.
- Pacini është këtu, edhe falë pasimeve të Kasanos.
- Padyshim që përfiton nga cilësitë e Kasanos. Por Pacini është këtu sepse po paraqitet mirë edhe për shkak të një sërë dëmtimesh. Përndryshe Toni dhe Xhilardino, por edhe Gatuzo, Kamoranezi dhe Perrota do të ishin pjesë e grupit.
- Me Motën dhe Boketin mund të shpresojnë edhe të tjerë të rinj?
- Sigurisht. Edhe Santon po luan shumë mirë, por është e drejtë që të bëjë hapat e nevojshëm me kombëtaren Under 21 të Kaziragit. Më pas janë të shumtë emrat, edhe me pashaportë të dyfishtë. Por kërkoj italianë. Dhe ndjek ata që po paraqiten mirë si Flokari, Galopa, Biaxhianti, Maskara, Di Vaio. Këtyre lojtarëve shpresoj t’i gjej hapësira në një miqësore të qershorit, para Afrikës Jugut.
- Përsa i përket grupit, lojtarë si Gatuzo dhe Toni janë shprehur skeptikë në lidhje me Amaurin në kombëtren “axurre”.
- Nuk më intereson. Besoj se disa koncepte janë anashkaluar.
- Mourinjo ka polemizuar me trajnerët italianë.
- Që janë më të mirët në botë. Por jam këtu për të përgatitur dy ndeshje vendimtare dhe nuk dua të flas për gjëra të tjera. Deri tani kemi bërë mirë: 10 pikë në 4 ndeshje. Por duhet të ndeshemi me Irlandën e Trapatonit dhe nuk do të jetë e lehtë, ashtu si kundër Malit të Zi.