26 mars 2009

Bufon: Amauri i mirëpritur, Kasano detyrë e Lipit

Në qendrën stërvitore të Italisë, e cila po përgatitet për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës kundër skuadrave të Malit të Zi dhe Irlandës, njeriu i ditës është portieri i Juventusit, Xhixhi Bufon. Ai ka prekur tema të nxehta, duke nisur nga fantazisti i Sampdorias Antonio Kasano dhe shoku i tij i skuadrës Amauri e deri te lufta për titull në Serinë A.

KASANO ‑ “Do të ishte shumë i dobishëm për ne ‑ ka thënë portieri që deri tani ka zhvilluar plot 90 ndeshje me fanellën e kombëtares italiane në lidhje me sulmuesin e Sampdorias ‑, por ai që vendos për këtë është Lipi. Nuk besoj se portat e kombëtares janë të mbyllura për ndonjë lojtar. Kasano në finalet e Evropianit luajti mirë dhe me formën e shkëlqyer që po kalon, do të ishte shumë i dobishëm për skuadrën. Por e përsëris edhe një herë tjetër për këto gjëra vendos vetëm trajneri”.

ÇESHTJA AMAURI ‑ Bufoni prek edhe çështjen Amauri, duke hapur dyert e përfaqësueses për shokun e tij të skuadrës dhe duke dalë kundër mendimeve që janë shprehur disa ditë më parë nga mesfushori i Milanit Xhenaro Gatuzo dhe nga sulmuesi i Bajernit të Mynihut Luka Toni: “Nëse vendos të bëhet pjesë e grupit të axurrëve, do të jetë i mirëseardhur. Nëse na ndihmon të përmirësohemi, nuk do të ketë asnjë problem. Nëse vendos të luajë për Italinë, do ta bëjë sepse duhet ta ndiejë në zemër dhe për mua është i mirëseardhur nëse e ndien këtë. Shokët e skuadrës që kanë folur ndryshe ndoshta janë mërzitur sepse pritja po bëhet shumë e gjatë…”, ka deklaruar portieri bardhezi.

JUVENTUSI ‑ Portieri i Italisë më pas i kthehet edhe kampionatit dhe Juventusit të tij. “Mundësia jonë e vetme për të marrë kampionatin varet nga përballja direkte që do të zhvillojmë më 19 prill me Interin në fushën tonë. Mourinjo është serioz dhe inteligjent, por nganjëherë e kalon kufirin. Mbi kolegët nuk mund të hidhet baltë”, ka thënë Bufon. Më pas ai i kthehet sërish temës së Kasanos, por në këndvështrimin e juventinit: “Për të fituar nevojiten kampionë, prandaj Kasano mund të jetë një lojtar i mirëpritur te ne. Sigurisht që do të na ndihmonte të përforcoheshim akoma më shumë për sezonin e ardhshëm”.