Do të jetë Karlo Ançeloti, tashmë afër rikonfirmimit, që do të organizojë merkaton e Milanit për sezonin e ardhshëm. Natyrisht fillohet nga mbrojtja.
Emrat në listë janë ato të Mekses, Aleks dhe Kjaer. Francezi pëlqehet nga klubi, ndërsa Ançeloti preferon më shumë brazilianin. Në mesin e fushës ka vënë kandidaturën për t’u rikthyer Gurkuf. Klishi dhe Zuniga janë dy bastet. Ndërsa, Kanute, mund të merrej për të përforcuar repartin ofensiv.
Pasi ka siguruar kartonin e Tiago Silvës, Milani prej kohësh po negocion me Romën për Meksesin, edhe pse duket më e mundshme pista që të çon tek Aleks, shumë pak i aktivizuar tek Çelsi. Palermitani Kjaer është një alternativë interesante. Përsa i përket mesfushës, duket shumë afër rikthimi i Gurkufit, mbi të gjitha sepse Bordo, edhe pse mund të shfrytëzojë të drejtën për ta blerë përfundimisht kartonin e lojtarit, nuk mund ta shesë atë tek një klub i madh siç parashikohet nga një klauzolë në kontratë.
Ja pse, si lojtari, ashtu edhe klubi francez, janë të orientuar drejt një rikthmi në Itali. Ndërkohë, përforcohen zërat për një interesim edhe për Gael Klishi. “Milani është një klub i madh, është një gjë e bukur të dish se pëlqehesh nga një skuadër e madhe”, ka thënë mbrojtësi i krahut i Arsenalit.
Nuk do të largohet nga Milano Marko Borrielo, pavarësisht interesimit të Napolit dhe Donadonit. Sulmuesi do të luftojë për një vend në formacion jo vetëm me Paton dhe Inzagin, por edhe me Kanuten, i cili nga Sevilja ka bërë të ditur se fanella kuqezi është një ëndërr për të.”Jam shumë i lumtur të dëgjoj se një nga klubet më të mira në botë është i interesuar për mua.
Do të ishte një ëndërr që do të bëhej realitet”, ka thënë sulmuesi nga Mali. Dhe duke parë që tek Eto, një sulmues me karakteristika të ngjashme me malianin, nuk mund të arrihet… Kapitulli portier. Pavarësisht se Galiani ka thënë më shumë se një herë se Abiati, Dida dhe Kalac do të ruajnë vendin e tyre, në shtëpinë e Milanit po mendohet të rinovohet edhe ky repart. Kështu, emri i parë në listën e portirëve është ai Marketit, që ka befasur të gjithë në këtë sezon me Kaljarin, por për të ardhmen pëlqehet edhe i riu (lindur më 1990-ën) Fiorilo i Sampdorias.