“Boll na çave kokën”, ka qenë mesazhi që Fabio Kapelo, trajneri i Anglisë, i ka drejtuar trajnerit të Totenhemit, Herri Redknap, i cili ka dy ditë që bën zhurmë për grumbullimin nga Kapelo të lojtarit të tij, Ledli King, i cili ishte i dëmtuar. King u thirr nga Kapelo për miqësoren kundër Sllovakisë dhe për ndeshjen eliminatore të Kupës së Botës kundër Ukrainës, edhe pse kishte dhembje në gju.
Zemërimi ‑ Sipas asaj që shkruan gazeta “Daily Mirror”, Kapelo qenka zemëruar keq nga komentet e trajnerit të Totenhemit, i cili e kishte cilësuar grumbullimin e lojtarit të tij “një marrëzi të kotë dhe qesharake”. Kapelo i ka bërë të qartë Redknapit se nëse këtë herë King u lejua të kthehej në shtëpi për shkak të dhembjes në gju, e cila madje i ishte përkeqësuar, duke mos e lejuar të merrte pjesë në stërvitjen e parë me përfaqësuesen, lojtari 28-vjeçar mbetet pjesë e planeve të Kapelos. Madje Kapelo ka ndër mend ta thërrasë sërish lojtarin e Totenhemit në përfaqësuese për ndeshjet e tjera miqësore ose zyrtare, pasi ai e konsideron atë alternativën më të mirë për Rio Ferdinandin. Siç thuhet edhe në komunikatën zyrtare të Federatës Angleze të Futbollit, stafi i përfaqësueses angleze ka vepruar në bashkëpunim me stafin mjekësor të Totenhemit dhe në fund të konsultimit të përbashkët, u vendos që Ledli King të kthehej pranë klubit dhe të vazhdonte programin e rehabilitimit individual.
Herri Poter ‑ Kjo nuk është hera e parë që Kapelo dhe Redknap shkëmbejnë batuta publikisht. Ka ndodhur edhe pas miqësores së Anglisë kundër Çekisë gushtin e shkuar, kur trajneri aktual i Totenhemit, që në atë kohë ishte komentator sportiv në televizion, e kritikoi shumë paraqitjen e Anglisë, duke e cilësuar “më të keqen në historinë e saj”. Madje në një intervistë të tijën ai kishte thënë se “taktika e Kapelos po e vriste Stiven Xherardin”. Pra, duket se mes tyre nuk ka simpati, aq sa trajneri italian e konsideron trajnerin anglez një “telashexhi”, ose siç thotë gazeta “The Sun”, “Herri Rotter”, një zhargon anglez, i cili nuk ka të bëjë me magjistarin e shkrimtares Rowling, por është zhargon anglez për të thënë “maskara”.
Almunia si Amauri - Nuk mjaftojnë vetëm kritikat e trajnerëve të tjerë për punën e tij, por Kapelos i duhet të përballet edhe me kritikat e legjendës së portës angleze, Piter Shilton. Ky i fundit, në faqet e gazetës “Daily Star”, ka mbështetur qëndrimin e trajnerit të portierëve të rinj të përfaqësueses angleze, Rei Klemens, i cili ka kundërshtuar idenë që portën e Anglisë në të ardhmen ta mbrojë spanjolli Manuel Almunia, që pret të marrë së shpejti pasaportën angleze. “Nuk do të isha aspak i kënaqur nëse ndodh një gjë e tillë - ka thënë Shilton. - Ne kemi një traditë portierësh të mëdhenj anglezë dhe Almunia nuk më duket më i mirë se ata. Besoj se Kapelo mund ta marrë në konsideratë si opsion”. Në lidhje me trajnerin e përfaqësueses, Shilton ka pohuar se po bën një punë të shkëlqyer dhe se Anglia po luante shumë mirë, por atij do t’i pëlqente të shihte një anglez në krye të përfaqësueses.