27 mars 2009

Galiani “anullon” takimin Ançeloti-Perez

Ditët e fundit është folur për një kontakt të parë mes Karlo Ançelotit dhe Florentino Perezit, kandidat kryesor për t’u bërë president i Realit të Madridit këtë verë. Por për Adriano Galianin janë zëra pa burim: “Nuk shqetësohem, duke parë që Galiani ka një kontratë, por gjithsesi, - vazhdon zv/presidenti i Milanit, - nuk e besoj me 99.9%, sepse Florentino Perez vazhdon të thotë se është një mik, një njeri që nuk do ta bënte këtë gjë asnjëherë pa ma thënë mua. Kam thënë që gjithçka do të sqarohet pas 31 majit dhe kjo vlen për të gjithë. Pastaj Ançeloti ka edhe një vit tjetër kontratë. Edhe për lojtarët që u skadon kontrata, do të flasim në fund të sezonit”. Por nëse Milani nuk arrin në vend të tretë në kampionat, lamtumira e Ançelotit do të ishte thuajse e sigurt. Me afrimin e pranverës spikat hipoteza e kontakteve mes Realit të Madridit dhe Karlo Ançelotit. Në të kaluarën gjëra të tilla nuk sollën gjë dhe administratori i deleguar kuqezi i fton të gjithë të qetësohen, ndonëse këtë herë ka disa skenarë që mund të jenë vendimtarë. Shtypi spanjoll është i bindur që Florentino Perez, kandidati kryesor për presidencën e Realit të Madridit, shikon te trajneri i Milanit zgjedhjen e parë për stolin “merenges” dhe se është gati ta lejojë të bëhet përveç se trajner, edhe menaxher në stilin anglez. Një plan i mbështetur edhe nga Zinedine Zidane, i cili për Ançelotin ka luajtur vite më parë te Juventusi dhe për Perezin do të ishte gati të rikthehej në Spanjë si drejtues në rast të një suksesi elektoral. Por Galiani sqaron se nëse trajneri do të paraqitej që nesër për të kërkuar rinovimin e kontratës, çështja do të shtyhej siguirisht pas 31 majit. E njëjta gjë vlen edhe për lojtarët kuqezi që u skadon kontrata, si dhe për çdo çështje tjetër merkatoje. Ndërsa për Maldinin, drejtuesi kuqezi shpjegon që nuk ka shpresa të luajë edhe për një vit. Në të vërtetë, klubi kuqezi po gjurmon prej kohësh në merkato për të përforcuar skuadrën. Sigurisht do të vijë një mbrojtës (Ager, Bruno Alves, Klishi, Kjaer, Miranda, emrat e përfolur) dhe kërkohet një sulmues për të mbyllur “llogarinë”.