03 shkurt 2009

Surprizë e Interit, ikën Kuarezma

Në ditën e fundit të merkatos në Itali, surprizën më të madhe e ka bërë Interi kryesues. Në mënyrë krejt të papritur ka ardhur "divorci" me Rikardo Kuarezman, i cili pavarësisht se është transferuar te klubi milanez në verën e vitit 2008, s'ka arritur të bindë Murinjon, duke bërë që kjo përvojë e tij me zikaltrit të mos zgjasë as gjashtë muaj. Një sinjal në këtë drejtim erdhi që kur portugezi nuk ka qenë pjesë e listës së lojtarëve, të cilët do të zbresin në fushë në ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kampionëve. Mesfushori ishte transferuar në Milano me kërkesë të teknikut të Interit dhe ka kushtuar 25 milionë euro. Tashmë ai do të huazohet te Çelsi deri në qershor të këtij viti. Në këmbim, klubi zikaltër po kërkon të përfundojë marrëveshjen me Çelsin për Didier Drogbanë, i cili mund të transferohet në Itali vetëm në muajin qershor. Të dyja klubet po bisedojnë prej kohësh për finalizimin e kësaj marrëveshjeje, pasi sulmuesi afrikan prej kohësh tashmë nuk ka ndonjë marrëdhënie të mirë me trajnerin Luis Felipe Skolari. Morati
Presidenti i Interit, Masimo Morati, përpara realizimit të marrëveshjes me Çelësin për huazimin e Kuarezmës, ka lënë të kuptohet se ky veprim ishte planifikuar të bëhej gjatë kësaj merkatoje të janarit: "Mendoj se do ta ndihmojë një eksperiencë jashtë Italisë", ishte mjaftuar të thoshte Morati. Gjithashtu, gjatë orëve të pasdites së djeshme, ishte hedhur edhe hipoteza e një ndërrimi të mundshëm me Totenhemin, që do të përfshinte mesfushorin anglez, Zhermen Xhenas. Por në lidhje me këtë, numri një i klubit zikaltër ka përgënjeshtruar: "Nuk di ende asgjë. Kur të mbarojë gjithçka do ta marrim vesh të gjithë sesi do të shkojë", ka përfunduar ai. E kështu, në mënyrë të befasishme, Kuarezma përfundoi te Çelsi. Megjithatë, portugezi nuk është i vetmi lojtar, që do të largohet nga skuadra e Murinjos, pasi edhe Olivier Dakurt është vendosur që të lëshohet drejt Fulhamit. Mesfushori i Interit ka firmosur një kontratë për klubin anglez, por edhe në këtë rast, bëhet fjalë për një huazim.