03 shkurt 2009

Mekses-Menez, sherr me tre lacialë

Filip Mekses e Xheremi Menez janë përfshirë në një grindje, jashtë një lokali nate. Dy futbollistët e Romës kanë pasur një debat me tre tifozë lacialë, pikërisht në qendrën e kryeqytetit italian. Hedhje batutash, pastaj ofendime dhe disa shtyrje. Sipas asaj që bëhet e ditur nga mediat romane, Mekses duhet të ketë përfunduar deri në spital për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore, përderisa njëri prej tifozëve bardhekaltër duhet të ketë qenë boksier. Por burime të tjera e mohojnë këtë detaj. Për t’u veçuar është edhe fakti se në vendngjarje, për të ftohur gjakrat kanë mbërritur karabinierët. Dy lojtarët nuk kanë bërë denoncim, por për disa sekonda, jashtë diskotekës “Xhilda”, një nga lokalet më të famshëm të qytetit, u rrezikua të përfundonte çdo gjë keq. Tre tifozët lacialë, duke njohu Mekses e Menez, të cilët dilnin nga lokali, i ofenduan dhe sapo u janë afruar, i kanë shtyrë, duke shoqëruar këto gjeste edhe me fjalë sulmuese. Në përfundim, me ardhjen e karabinierëve mësohet se ka pasur një shtrëngim duarsh mes tifozëve lacialë dhe dy lojtarëve. Mekses të dielën në drekë ka luajtur në takimin e kampionatit që Roma e barazoi 2-2 në fushën e Rexhinës. Francezi, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, nuk luajti një prej ndeshjeve të tij më të mira, duke kryer edhe faullin ndaj Korradit, që solli penalltinë e avantazhit 1-0.