03 shkurt 2009

Atletiko: trajneri Agirre jep dorëheqjen

Trajneri i Atletikos së Madridit, Havier Agirre, ka dhënë dorëheqjen dhe në vendin e tij klubi spanjoll ka emëruar ish-portierin Abel Resino. “Ky është klubi që më ka ndihmuar të rritem profesionalisht dhe do të mbetet gjithmonë në zemrën time, - tha meksikani, gjatë konferencës për shtyp ku bëri të ditur largimin e tij. - Jam i sigurtë se largimin im do ta ndihmojë ekipin, sepse përndyshe nuk do ta kisha bërë kurrë. I uroj trajnerit të ri të gjithë fatin e mundshëm. Ia kam thënë personalisht se jam i bindur që skuadra do të arrijë një vend për në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm. Atletiko e Madridit ka pasur një ecuri “vrastare” gjatë vitit 2009, e cila u konkretizua në ndeshjen e fundit ku u mund 2-1 nga Valadolidi. Kryeqytetasit kanë marrë vetëm dy pikë në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit dhe renditen në vendin e shtatë. Gjatë muajit janar Atletiko u eliminua nga Kupa e Mbretit me dy humbjet e pësuara ndaj Barcelonës. Një ecuri shkatërrimtare e cila hodhi poshtë punën e bërë në pjesën e parë të sezonit. Atletiko e Madridit e mbylli vitin 2008 me 15 rezultate pozitive radhazi dhe ka fituar të drejtën për të luajtur në 1/8-t e finaleve të Ligës së Kampioneve, ku do të ndeshet me Porton. 50-vjeçari Agirre largohet pas dy vitesh e gjysmë në “Visente Kalderon”. Ai shtoi: “Për mua ka qenë një krenari që punoja te Atletiko dhe që e riktheva këtë ekip në Ligën e Kampioneve, pas 11 vitesh. Kam mësuar çdo ditë nga puna ime me këtë ekip dhe mendoj se kam pasur fatin të punoj me një nga 12 apo 15 skuadrat më të forta të planetit. Unë do të vazhdoj të jetoj në Madrid për momentin, derisa fëmijët e mi të mbyllin vitin shkollor. Do të pushoj deri në qershor. Do të relaksohem duke parë futboll”. Vendin e meksikanit do ta marrë trajneri 49-vjeçar Abel Resino, i cili vjen nga skuadra e kategorisë së dytë Kastelon. Resino ka qenë një portier legjendar i Atletikos së Madridit, teksa ka luajtur për 13 vite me këtë ekip dhe mban rekordin në kampionatin spanjoll me 1274 minuta (14 ndeshje) pa pësuar gol. Resino është shpallur dy herë kampion i Spanjës me Atletikon dhe gjatë karrierës së tij ka drejtuar skuadrat e Murcias dhe Levantes. “Nuk mund ta mohoj që drejtimi i Atletikos ka qenë ëndrra ime që në ditën e parë që u ula në stol si trajner” - tha ai.