24 mars 2009

"Zhoze ka gabuar, ndërsa Ibra do të qëndrojë"

"Murinjo është një personazh i veçantë, është nisur për të ironizuar Ançelotin dhe ndryshoi drejtim rrugës. Nuk e njeh akoma mirë realitetin tonë dhe këto fraza janë një shembull perfekt, që e konfirmojnë këtë gjë". Ish-kampioni zikaltër, Sandro Macola, ka komentuar deklaratat e fundit të trajnerit portugez: "Kur isha drejtues klubi, përballesha shpesh me trajnerin tim për formacionin - ka shpjeguar Macola për radio "Kiss Kiss", - është një gjë normale. Unë kam luajtur futboll dhe më dukej e drejtë të jepja pak nga eksperienca ime, sidomos kur shikoja që kishte diçka që s'shkonte". Lidhur me çështjen e Ibrahimoviçit, ai është shprehur: "Sulmuesi suedez nuk do të largohet, do vetëm që t'i rritet paga - ka deklaruar Macola -. Po të kishte dëshirë të ndryshonte ambient, nuk do thoshte publikisht gjëra të tilla, por do të mbyllej në zyrën e presidentit dhe do ta bisedonte vetëm me të. Nuk besoj se ai do të largohet".