24 mars 2009
Të gjithë anti-Murinjo: I paedukatë!
Zhoze Murinjo ka tërhequr sërish vë mendjen e të gjithëve. Deklaratat e bëra pas fitores së Interit ndaj Rexhinës kanë indinjuar pjesën më të madhe të trajnerëve italianë. Portugezi ka akuzuar kolegët e tij se janë pa dinjitet për faktin se formacionin ua imponojnë presidentët e klubeve. Nuk është hera e parë që trajneri portugez gjendet në qendër të polemikave, por këtë herë e ka rritur shumë dozën: "Kur flisja për trajnerë që humbasin dinjitetin, doja të thosha se ndërkohë që unë e zgjedh vetë skuadrën që dua të kem në fushë, ka shumë të tjerë që s'e bëjnë të njëjtën gjë. Bota e futbollit është e mbushur me të tillë. Nëse dikush do të më thoshte sesi ta bëj formacionin, ditën tjetër zyra ime do të ishte bosh dhe do të kisha bërë gati valixhet". Kundërpërgjigjet - I pari që ka kritikuar ironikisht sjelljen e Murinjos ka qenë Karlo Ançeloti: "Nëse ai më është referuar mua, unë mund të them që me Berluskonin kam fituar dy trofe si lojtar dhe dy si zëvendëstrajner". Mëngjesin e djeshëm kanë ardhur reagimet e tjera. Masimiljano Alegri, trajneri i Kaljarit, thekson: "Deklaratat e Murinjos janë patetike. Interesimi për të tjerët është diçka aspak e këndshme, madje do të thosha mungesë respekti. Unë me presidentin Çelino - ka vazhduar ai - kam pasur shumë përballje gjatë vitit, por nuk ndërhyn kurrë në formacion. Ka njohuri në fushën e futbollit dhe shkëmbimi i mendimeve është shumë i drejtë, sipas mendimit tim". Me të njëjtën ide është edhe Roberto Donadoni, trajner i Napolit: "Më habit gjithë kjo njohuri që ka ai lidhur me situatat e të tjerëve. Ndoshta ka dashur të lëshojë një nga ato frazat e tij të famshme, që bëjnë shumë efekt, por që janë në disfavorin e tij. Nuk e kuptoj arsyen dhe nevojën e këtyre fjalëve, secili nga ne përpiqet të marrë maksimumin nga puna që bën". Ulivieri - Pak më të "zbukuruara", por jo të ndryshme kanë qenë deklaratat e Renco Ulivierit, presidentit të Shoqatës Italiane të Trajnerëve, lidhur me frazat e shprehura nga trajneri i zikaltërve. "Murinjo është anëtar i yni dhe jam i kënaqur për këtë gjë. Por kësaj here, nëse duhet t'i zgjedh fjalët, do të thosha se ia ka futur kot fare. Pyetini Kapelon, Lipin, Spaletin Prandelin, Alegrin! Pyetini nëse i lejojnë të tjerët të vendosin për formacionin e tyre! - ka shtuar Ulivieri - Murinjo nuk e vlerëson Italinë? Ka shumë mundësi që të mos i ketë pëlqyer fakti që Kaljari thuajse e mundi në 'San Siro'", ka përfunduar Ulivieri.