24 mars 2009
Venger pret një finale angleze
Ndërkohë që kërkon të justifikojë shpenzimet e tij sezonale me fitimin e Ligës së Kampioneve, trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, bën të ditur se pret një finale angleze në Ligën e Kampioneve të këtij sezoni. “Profesori”, siç e thërrasin në ambientet e brendshme të klubit, beson se edhe këtë vit, skuadrat angleze do të dominojnë kompeticionin më të rëndësishëm kontinental, për vetë faktin se Premier Liga tashmë bën diferencën krahasuar me kampionatet homologe në Evropë. Vitin e shkuar, në Moskë u vunë përballë njëra-tjetrës, skuadra e Mançester Junajtid dhe Çelsit, teksa pas gjuajtjes së penalltive “djajtë e kuq” gëzuan lavdinë evropiane për të tretën herë në histori. Ndërsa këtë vit, në çerekfinale, gjysma e skuadrave pjesëmarrëse janë angleze: Arsenal, Mançester Junajitd, Çelsi dhe Liverpul. “Është në të mirë të futbollit anglez dhe mbase ndjell zili në pjesën tjetër të Evropës - bëri të ditur Venger në faqen zyrtare të klubit. -Them do të jetë fantastike për Anglinë për arsye se kjo tregon se kampionati vendës zotëron nivelin dhe cilësinë më të lartë të futbollit në mbarë kontinentin, pse jo, dhe të botës. Besoj se të gjithë duan të shikojnë lojë cilësore. Para disa vitesh ishin katër klube spanjolle në çerekfinale, gjë që s’u duk kurrsesi e mërzitshme. Thjesht pyesja veten: çfarë kanë ndryshe nga ne ato klube që arrijnë këtë sukses? Jam i sigurt se shumica e evropianëve nuk duan që edhe këtë vit në finale të shkojnë dy ekipe të Premier Ligës. Por për meritë të cilësisë së lojës sonë, do të ndodhë përsëri kështu. Uroj që njëri prej finalistëve të jemi ne, ndërsa tjetri, një mes Liverpulit dhe Çelsit. Aktualisht po kalojmë periudhë goxha të mirë dhe nëse tregohemi pak të kujdesshëm, do t’ia arrijmë qëllimit tonë. Kemi mjaft eksperiencë nga sezonet e shkuara dhe nëse nuk përsërisim gabimet e mëparshme, besoj te triumfi”, përfundon trajneri francez, Arsen Venger. Ndeshjet e para të çerekfinaleve do të luhen më 7-8 prill dhe të kthimit më 14-15.