25 mars 2009
Tasoti: Ançeloti mund të largohet
Vazhdojnë të jenë të shumta dyshimet dhe zërat që kanë të bëjnë me qëndrimin e Karlo Ançelotit në stolin e Milanit edhe në sezonin e ardhshëm. Ai që ka konfirmuar se mundësia e një largimi në fund të këtij sezoni nuk duhet përjashtuar aspak, para kamerave dhe gazetarëve, ka qenë zëvendëstrajneri i kuqezinjve dhe miku i ngushtë i teknikut emilian, Mauro Tasoti, i cili ka folur me rastin e një manifestimi bamirës në favor të Fondacionit Borgonovo. “Ajo që po përjetohet në këtë moment është një situatë shumë e çuditshme dhe e vështirë për t’u interpretuar. Në fillim ne duhet të përqendrohemi për ta përfunduar këtë kampionat në vendin e tretë dhe të sigurojmë një vend në Champions Ligën e ardhshme, që është një objektiv shumë i rëndësishëm, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”. Domethënë, duket gjithnjë dhe më afër lamtumira e trajnerit Karlo Ançeloti nga Milani, klubi në të cilin ndodhet prej vitit 2001.