25 mars 2009
Favali-Figo shtyjnë lamtumirën
Të dy kanë lindur në vitin 1972 dhe të dy nuk kanë ndërmend të largohen nga futbolli i luajtur. Xhiuzepe Favali dhe Luiz Figo kanë të përbashkët situatën që po kalojnë në klubet respektive. I pari, tek Milani, po mendon të vazhdojë edhe një vit tjetër. Klubi kuqezi ka gati për sezonin e ardhshëm Tiago Silvën, do të përpiqet të marrë Meksesin nga Roma dhe të vlerësojë pjesën tjetër të ekipit. Ndoshta Figo do ta vazhdojë aventurën e tij jashtë kufijve italianë. Fantazisti portugez nuk do të rinovojë me Interin, por do të vazhdojë të luajë. Nuk dihet akoma se ku. Mbrojtësi kuqezi ka në favor integritetin fizik, pavarësisht se është 37 vjeç. Galiani dhe Braida e konsiderojnë një profesionist, mbi të cilin mund të mbështeten gjithmonë. Për këtë arsye klubi po vlerëson mundësinë për t’i rinovuar kontratën edhe për një vit. Ndërkohë portugezi nuk ka thënë asnjëherë se do të tërhiqet. Por asnjëherë nuk është folur për një mundësi për të rinovuar me Interin.