25 mars 2009

Ançeloti: Interi i Mançinit më i mirë

Milani këtë vit ka zhgënjyer të gjithë ata që kishin vënë bast se kuqezinjtë do të fitonin kampionatin. Por Karlo Ançeloti e ka shpjegimin gati për këtë sezon negativ të ekipit të tij. “Suksesi i munguar ka qenë i lidhur me dëmtime të rëndësishme si ato të Nestës dhe Gatuzos.
Një tjetër lojtar që nuk e kemi pasur në dispozicion, dhe që ndoshta është nënvlerësuar mungesa e tij, ka qenë Borrielo. Në verë kishim kërkuar një sulmues me karakteristikat e tij. Kemi besuar tek Borrielo, por nuk kemi arritur ta aktivizojmë për shkak të dëmtimeve të shumta”, ka thënë trajneri kuqezi. Ndërkohë që për sezonin e ardhshëm është i nevojshëm edhe një sulmues tjetër.
“Borxhi i Shevçenkos do të skadojë dhe Inzagi do të ketë një vit më shumë. Për këtë duhet të mendojmë. Gjithsesi, për të shpjeguar arsyet e problemeve tona, duhet të shtojmë se përshtatja e disa lojtarëve të rinj si Ronaldinjo dhe Flamini nuk ka qenë shumë e lehtë”. Në lidhje me listën e lojtarëve që duhen blerë për sezonin e ardhshëm. “Jo, unë nuk bëj asnjë listë, edhe pse këtë e bëjmë bashkë me drejtuesit e klubit”.
Si gjithmonë, Ançeloti, në mbështetje të klubit, pa asnjë ankesë ose pretendim. “Jam i bindur se një trajner duhet ta njohë mirë situatën e klubit edhe nga këndvështrimi ekonomik, duhet të jetë i përfshirë në të gjitha nivelet. Ndihem shumë i lidhur me Milanin ku kam kaluar 5 vjet si lojtar dhe 8 si trajner dhe nuk duhet të paraqes asnjë listë.
Ditën kur gjërat midis meje dhe këtij klubi nuk do të funksionojnë më, do të ishte mirë të ndaheshim me një përqafim. Por ky moment akoma nuk ka ardhur, jemi në harmoni totale. Skuadra duhet rinovuar, por nuk besoj se është i nevojshëm një revolucion.
Ka akoma shumë lojtarë që janë shumë të rëndësishëm për ekipin, të rinj dhe të aftë, si Kakà dhe Pato, dhe më pak të rinj por akoma të fortë si Gatuzo, Pirlo dhe Flamini”. Ndërkohë Interi është afër fitores në kampionat pa një futboll spektakolar. “Interi do ta fitojë kampionatin me meritë, është një skuadër që e bazon lojën tek forca fizike dhe tek cilësia e madhe e sulmuesve që ka në dispozicion”.
Por, për Ançelotin, Interi i Mançinit luante më mirë. “Kërkonte më shumë pasimet në krahasim me finalizimin e Interit të tanishëm. Në këtë sezon kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira në transfertë. Jo të gjitha skuadrat kanë përparësi lojën e bukur, shumë preferojnë futbollin praktik”. Ndërkohë sulmet e trajnerit zikaltër, Hoze Mourinjo, kundër Ançelotit kanë sjellë reagimet e shumë trajnerëve italianë.
Renco Ulivieri, presidenti i trajnerëve italianë, i ka bërë thirrje trajnerit portugez të kërkojë falje, ndërsa tekniku i Kaljarit Masimiliano Alegri e ka cilësuar patetik. “Unë jam dakord me Ulivierin dhe them se shkolla italiane vlerësohet shumë jashtë Italisë. Më befason ajo që thotë Mourinjo dhe nuk dua të zgjatem. Nuk kuptoj pse përmend Milanin dhe në këtë pikë nuk më intereson. Eshtë një strategji e tija? Nuk e di kush janë qëllimet e tij dhe as se ku do të arrijë”, ka deklaruar Ançeloti.