02 mars 2009
Shkëlqimi i Bajernit‘zbehet’ në kampionat
Bajerni i Mynihut vazhdon të vuajë në kampionat. Edhe pse në mesjavë arriti të zhvillojë një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar me rezultatin 5-0 në Bundesligë, kriza thellohet. Bavarezët patën në dorë një shans të mirë për të fituar takimin, kur në minutën e 15-të, mbrojtësi i Verderit, Naldo, doli nga fusha me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Frenk Riberisë. Edhe pse sulmuan dhe iu afruan golit, miqtë nuk ditën të gjejnë rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Verderi arriti të përballojë me sukses presionin e kundërshtarit dhe mori një pikë shumë të vlefshme nga kjo përballje, duke llogaritur edhe rrethanat. Një barazim, që ka ndikuar edhe në renditje për skuadrën e trajnerit Jurgen Klinsman, duke qenë se tashmë renditet në vendin e pestë, me kuotë të barabartë pikësh me Volfsbugun, por me një diferencë prej katër pikësh me vendin e parë. Në ndeshjen tjetër të ditës së djeshme, atë mes Karlsruhes dhe Shtutgartit, djemtë e trajnerit Markus Babel kanë arritur të tregojnë se janë gati të pretendojnë një vend në Kupat e Evropës këtë sezon. Ata arritën të fitonin në transfertë me rezultatin 2-0, pas golit të Elson në minutën e 50-të dhe të Kedirës në të 88-ën. Një fitore, që bën që Shtutgarti të jetë vetëm tri pikë larg zonës së Kupës UEFA dhe pesë pikë larg Ligës së Kampioneve, duke e bërë akoma më emocionues kampionatin e këtij viti.