02 mars 2009
Hamburgu mundet dhe humbet kryesimin
Skuadra e Hamburgut nuk ka arritur të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive, edhe pse kishte rastin më të mirë për të thelluar diferencën me ndjekësit më të afërt. Kur priste në shtëpi Volfsburgun, ekipi i trajnerit Martin Jol ka zhgënjyer, duke mos arritur të marrë asnjë pikë nga kjo sfidë. Ka qenë Grafite, ai që ka shënuar golin e parë për miqtë në minutën e 12-të nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërkohë, 12 minuta më pas, sërish Grafite ka dyfishuar gjithçka, duke shtangur lojtarët dhe tifozerinë vendëse. Kaq mjaftoi për pjesën e parë të takimit, ndërkohë që në 45-minutëshin e dytë, lojtarët e Hamburgut u dukën më të motivuar dhe sulmuan më shumë. Në minutën e 73-të, sulmuesi Guerrero ngushtoi diferencën, gjithsesi nuk zgjati më shumë se tri minuta reagimi i Volfsburgut, që shënoi golin e tretë me anë të Edin Dzeko. Një fitore mjaft e rëndësishme për skuadrën e trajnerit Feliks Magat, që tashmë renditet në vendin e katërt të renditjes, duke lënë pas Bajernin e Mynihut për shkak të golavarazhit më të mirë. Ndërkohë, Hamburgu ka humbur kryesimin e renditjes, që mbahet nga Herta e Berlinit, me një pikë më shumë. Në ndeshjen e ardhshme, ata do të luajnë në transfertë kundër vendit të fundit në renditje, Borusia Mënshengladbah.