02 mars 2009
“Ronaldo, koha për te Real Madridi”
Luis Figo i ka sugjeruar Kristiano Ronaldos se i ka përmbushur ambiciet te Mançester Junajtid, prandaj duhet të lëvizë te Reali, për stimuj të rinj në karrierën e tij. Portugezi ka deklaruar për gazetën “Marca”: “Real Madrid është klubi më i mirë dhe më i rëndësishëm në botë. Mendoj se Kristiano e ka dhënë atë, që duhet të jepte në futbollin anglez. Ka fituar gjithçka me Mançesterin, që është një tjetër klub i madh. Megjithatë, tani duhet të synojë të arrijë të tjerë objektiva. Vetëm Reali i Madridit do t’i jepte mundësinë për diçka të tillë. Këtë ia kam thënë edhe vetë atij, ndonëse nuk e di se çfarë mendon vërtetë”. Figo, 36 vjeç, kaloi 5 sezone në Madrid, nga ku erdhi pas një përvoje te Barcelona. Me Realin fitoi dy kampionate dhe një Ligë të Kampionëve.