02 mars 2009

"Olld Traford" thërret Hoze Murinjon

Pas penalltive, Mançester Junajted fiton Kupën e Ligës përballë Totenhemit

Hoze Murinjo i ka të gjitha kualitetet për t‘u bërë pasardhës i Sër Aleks Ferguson te Mançester Junajted. Mbrojtësi Rio Ferdinand është i bindur për këtë. Gjatë një interviste për revistën "GQ", kapiteni i "Red Devils" sqaroi se ai ka personalitetin që të durojë presionin në "Olld Traford", duke u pozicionuar kundër dy legjendave të skuadrës, Sër Bobi Çarlton dhe Brajan Robson, të cilët mendojnë se portugezi është shumë i kujdesshëm në përgatitjen e ndeshjeve dhe i paaftë për të garantuar "stilin e Mançesterit", që nuk nënkupton thjesht fitoren e ndeshjeve. Ferdinand deklaroi: "Ekzistojnë pak trajnerë që mund të zëvendësojnë Sër Aleks dhe nëse flasim për dikë që ka egon dhe personalitetin për t‘ia arritur, ai është pa dyshim Hoze Murinjo".

Elozhet

Në anën tjetër, Murinjo ka folur për Rajan Gigs, duke e përkufizuar si "lojtarin më të madh në historinë e Premiershipit. Çfarë mund të thuhet tjetër për një lojtar që ka fituar dhjetë tituj në këtë aktivitet? Askush më parë nuk kishte kontribuuar kaq shumë për një klub të vetëm, si ka bërë Gigs për Mançester Junajted". Sipas teknikut zikaltër, forma e mirë e 35-vjeçarit "vjen për shkak të rolit të ri në mesfushë, që i lejon të shkëlqejë si kanë bërë përpara tij, vetëm Zola, Bergkamp dhe Zidan". Një zgjedhje e kërkuar me këmbëngulje nga Ferguson, për të cilën Murinjo përfundon: "Do të bëjë diferencën ndërmjet kampionatit dhe kupave të Evropës".

Carling Cup

Ndërkohë që flitet për emrin e drejtuesit të ri të stolit, të besuarit e Aleks Ferguson vazhdojnë të koleksionojnë kupa. Pas barazimit 0-0 në kohën e rregullt dhe atë shtesë, ata mposhtën 4-1 Totenhemin pas gjuajtjes së penalltive, duke përvetësuar Kupën e Ligës (Carling Cup). Në "Uembli", portieri rezervë, Ben Foster, priti gjuajtjen e O‘Haras, ndërsa Bentli shpërdoroi penalltinë e tretë për "Hotspurs", përpara se Anderson të realizonte golin vendimtar. Ky është trofeu i dytë sezonal për Junajted, pas Botërorit për klube, të fituar në dhjetor 2008. Për Ferguson, ky është trofeu numër 41 në krye të skuadrës.

K. Ronaldo

Mançester Junajted kërkon të mos privohet nga ylli portugez, që gjatë vitit 2008 fitoi të gjithë trofetë individualë, e po mendohet përmirësimi i kushteve financiare të kontratës. Marrëveshja aktuale skadon në pas tre vjetëve, por klubi kërkon rinovimin deri në vitin 2014, nga i cili portugezi mund të përfitojë 225 mijë euro në javë. Objektivi mbetet gjithmonë i njëjti: që Kristiano Ronaldo të mos "joshet" nga transferimi te Reali i Madridit. Në "Olld Traford" i tremben rikthimit të Florentino Perez në krye të klubit dhe lojtari shihet si një prej dëshirave kryesore në merkato, të njeriut që krijoi skuadrën "galaktike". Kjo temë është prekur disi edhe nga Ferdinand, që nuk i kurseu kritikat për fituesin e "Topit të Artë": "Ronaldon e kanë këshilluar keq. Gjatë verës së kaluar duhej të kishte reaguar më mirë dhe mos të deklaronte se kërkonte të largohej. gjithsesi, ai mbetet pa diskutim një lojtar i madh dhe janë të shumtë ata që e urrejnë për sukseset që ka arritur".