02 mars 2009
"Kun" Aguero preferon kalimin te Barcelona
Serxho Aguero preferon të vazhdojë karrierën te Barcelona dhe jo në Itali me Interin. Sipas mediave spanjolle, katalanët janë fare pranë blerjes së talentit argjentinas, që në fund të sezonit, mund të largohet nga "Visente Kalderon". "Sport" theksonte se pas aktivizimit vetëm për 55 minuta në sfidën e Champions me Porton, "El Kun" i ka kërkuar IMG (Grupi Ndërkombëtar i Menaxhimit), përfaqësuesve të tij, që të dëgjojnë ofertat nga klubet e tjera. Për t‘u larguar nga Atletiko e Madridit, ai mund të shfrytëzojë klauzolën e prishjes së kontratës për 55 milionë euro. Kundër këshillave të Maradonës, trajnerit të kombëtares argjentinase dhe njëkohësisht vjehrrit të tij, i cili kërkon t‘ia "dhurojë" Masimo Moratit, lojtari preferon të luajë përkrah shokut të tij, Lionel Mesi. Madje, në gadishullin Iberik spekulohet se Barça ka arritur një marrëveshje verbale me drejtuesit e Atletikos, duke u pozicionuar në krye të listës, nëse Aguero largohet. Argjentinasi ka kontratë deri në vitin 2012 me klubin kryeqytetas dhe përfiton 3 milionë euro në sezon. Zërat e merkatos te "blaugranat" nuk përfundojnë me kaq. Në Gjermani janë të bindur se Barcelona ka siguruar firmën e Frank Riberi, në kontratën 4-vjeçare që i ishte ofruar francezit. Sipas "Bild", gjatë verës 25-vjeçari do të largohet nga Bajerni i Mynihut, për të luajtur në "Kamp Nou". Për Riberi interesohet edhe Juventusi, por mesfushori preferon t‘u shtohet yjeve të drejtuar nga Pep Guardiola.