24 mars 2009

“Nuk shkoj te Barcelona, pasi dua Bajernin”

Klubi spanjoll i Barcelonës e ka kërkuar me ngulm dhe vazhdon të jetë i interesuar për mbrojtësin gjerman të Bajernit të Mynihut, Filip Lahm. Por ka qenë vetë mbrojtësi ai që u ka dhënë fund spekulimeve të shumta në lidhje me të, duke i qëndruar besnik skuadrës bavareze. “Nuk po mendoj më për të shkuar te Barcelona. Unë e rinovova kontratën me Bajernin deri në vitin 2012 dhe jam shumë i lumtur këtu. Dua të jap më të mirën time dhe të fitoj sa më shumë trofe”, bëri të ditur mbrojtësi. Në fakt, Pep Guardiola e ka cilësuar gjermanin si të vetmin lojtar ideal për krahun e majtë të mbrojtjes së tij te Barcelona. Por tashmë, ai është një objektiv tejet i vështirë për t’u arritur, për të mos thënë i pamundur.