02 mars 2009
Çelsi, marrëveshje jozyrtare me Rajkard
Frenk Rajkard do të jetë trajneri i ardhshëm i Çelsit. Mediat angleze kanë bërë të ditur se ish-trajneri i Barcelonës ka arritur marrëveshjen jozyrtare që të marrë drejtimin e bluve gjatë verës, kur Gus Hidink të largohet. "News of the World" pretendonte se fillimisht, të dy trajnerët mund të punojnë përkrah njëri-tjetrit. Duke cituar një burim pranë klubit londinez, tabloidi shkruante: "Gus dhe Frenk kanë biseduar gjatë rreth drejtimit të stafit teknik të Çelsit gjatë këtyre javëve. Në mënyrë jozyrtare është arritur marrëveshja që Rajkard të emërohet në krye të skuadrës menjëherë pas mbylljes së këtij sezoni. Pronari i Çelsit, (Roman) Abramoviç kërkon që Hidink të mbyllë Botërorin 2010 në krye të Kombëtares ruse, por ekziston edhe një mundësi që ai të kthehet te Çelsi dhe të punojë së bashku me Rajkard". Bashkëpunimi Hidink-Rajkard nuk është i pamundur, edhe sepse ata kanë punuar në të kaluarën, në përfaqësuesen e Holandës. "Tulipani" shihet si alternativa kryesore për t‘u emëruar te skuadra e Londrës perëndimore. Ish-lojtari i Ajaksit dhe Milanit qëndroi një vit pushim pas largimit nga "Kamp Nou". Ai udhëhoqi Barçën drejt dy titujve në La Liga dhe një triumfi në Ligën e Kampioneve, përpara se të zëvendësohej nga Pep Guardiola. Rajkard shihet edhe si alternativë për stolin e Milanit, për të zëvendësuar Ançelotin.