24 mars 2009

“Kam arritur synimet sezonale të Bajernit”

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jurgen Klinsman, ka deklaruar se tashmë i ka arritur objektivat që i kishin vënë drejtuesit e klubit në fillim të sezonit. Ai e mori drejtimin e ekipit gjatë verës së kaluar, pas largimit të Otmar Hicfeld dhe synimi ishte një paraqitje e suksesshme në Ligën e Kampioneve. Aktualisht, bavarezët kanë siguruar kualifikimin për në 1/8-at e Champions- it, ku dhe do të kenë një rival të vështirë si Barcelona. E megjithatë, kjo nuk e ndihmon Klinsmanin që të mos jetë në qendër të kritikave. “Bordi drejtues më kërkoi që të kishim një ecuri pozitive në Ligën e Kampioneve, dhe ne e kemi bërë një gjë të tillë. Së bashku me Barcelonën, kemi qenë skuadrat që kemi bindur më shumë me lojën e zhvilluar. Luajmë një futboll të shpejtë dhe sulmues. Nëse arrijmë të eliminojmë spanjollët, askush nuk do ketë më të drejtë të na kritikojë”, u shpreh tekniku bavarez. Mirëpo, ndryshe nga Klinsmani, fansat nuk janë kaq të kënaqur, sepse sipas tyre ecuria në kampionat nuk është dhe aq e sigurt. Pavarësisht se për momentin renditen vetëm një pikë larg vendit të parë, tifozët e Bajernit nuk mendojnë se fitorja 7-1 ndaj Sportingut është e mjaftueshme për t’i lejuar vetes një dështim në Bundesligë. “Më vjen keq që nuk kemi marrë mbështetjen e duhur, për të qenë të qetë në punën tonë. Pas çdo humbjeje, drejt nesh kanë vërshuar një lumë kritikash e pikëpyetjesh. Kemi pasur një detyrë mjaft të vështirë në kampionat, pasi kemi punuar gjithmonë nën presion”, nënvizoi Klinsmani, i cili ka pohuar më pas se i vetmi rezultat që dëshiron në kampionat është titulli kampion. Dhe për ta
arritur këtë, u duhet të përveshin mëngët për nëntë ndeshjet e mbetura. “Do të ndihesha mjaft i zhgënjyer nëse nuk do ta fitonim kampionatin dhe mund ta them hapur këtë. Numërimi mbrapsht ka filluar dhe çdo përballje e mbetur ka shumë rëndësi në luftën për titull”, përfundoi ai. Bajerni do të luajë në transfertë kundër Volfsburgut në ndeshjen e ardhshme, me një kundërshtar që është në formë të shkëlqyer, madje edhe në kuotë të barabartë me bavarezët. Por ekipin e Klinsmanit e presin dhe të tjera përballje po kaq të vështira, siç janë ato me skuadrat e Leverkusenit, Hofenhaimit dhe Shtutgartit.