24 mars 2009
Grafite, më produktiv se Myleri
Sulmuesi brazilian i Volfsburgut, Grafite, është duke zhvilluar një sezon të shkëlqyer dhe po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ecurinë pozitive të skuadrës. Por edhe rekordet personale nuk kanë munguar. Ai ka rezultuar më produktiv se legjenda e futbollit gjerman, Gerd Myler. Ky i fundit ka një mesatare prej 1 goli për 77 minuta lojë, kurse Grafite e ka arritur një gjë të tillë në 72 minuta. Në 16 takimet e fundit, sulmuesi ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës plot 18 herë. “Ndihem krenar që krahasohem me një legjendë si Myleri. Ky është sezoni më i mirë i karrierës sime dhe i kam të gjitha shanset që ta përfundoj kampionatin si golashënuesi më i mirë. Do jap më të mirën time deri në fund”, u shpreh Grafite. Ai është në krye të listës me 18 gola, në kuotë të barabartë me Ibiseviç, por ky i fundit është i dëmtuar dhe nuk do të luajë për pjesën e mbetur të sezonit. Nëse ia del të fitojë “Këpucën e Artë” në Gjermani, ai do të bëhej braziliani i katërt që e arrin një gjë të tillë pas Marsio Amorosos, Ailtoni dhe Xhovani Elber. Sulmuesi 29-vjeçar, Grafite, u transferua te Volfsburgu në verën e vitit 2007, nga klubi francez i Le Manshit për shifrën e 10.9 milionë dollarëve, pas kërkesës personale të trajnerit Feliks Magat.